Drejtuesi kuqezi e shikon zgjidhjen tek sulmuesi i Seviljes
Milani do të bëjë një ofertë për Kanuten. Këtë shkruajnë gazetat spanjolle, më saktësisht “As”. Sipas të përditshmes iberike, sulmuesi nga Mali (me pashaportë franceze) i pëlqen Galianit aq sa e bën të harrojë edhe moshën që ka lojtari (1977).
Marrëveshja, - e kushtueshme -, mund të arrihet në rast se Milani do të shesë Borrielon (tek Napoli) dhe nëse Bordo do të vendosë të blejë përfundimisht Gurkufin (13,6 milion euro brenda 15 prillit). Do të zhvillohen negociata me presidentin e Seviljas, Del Nido, që do të mundohet të marrë shumën maksimale. Kontrata e sulmuesit skadon në vitin 2010-të dhe për këtë arsye klubi spanjoll ka ndër mend ta rinovojë edhe për një vit tjetër në mënyrë që stafi i lojtarit të mos ketë mundësi ta shfrytëzojë këtë situatë. Del Nido kërkon një shifër rreth 20 milion euro, Milani duket se është i gatshëm të investojë paratë e marrë nga Gurkuf (që i pëlqen Realit të Madridit), tek futbollisti i skuadrës iberike. Kjo do të thotë se kuqezinjtë do të heqin dorë përfundimisht nga Borrielo.
Nuk mund të përjashtohet një kalim i tij tek Napoli. Donadoni, i cili do të marrë pjesë në mënyrë aktive tek rindërtimi i skuadrës napoletane, e pëlqen shumë sulmuesin kuqezi. Dhe vendi që do të mbetej bosh duhet mbushur. Me Kanute. Blerja tjetër e madhe do të jetë në mbrojtje. Milani po punon prej kohësh për Meksesin dhe duke parë situatën e vështirë ekonomike të Romës, marrëveshja mund të mbyllet në mënyrë pozitive për klubin kuqezi. Edhe në këtë rast investimi do të jetë me dy shifra: duhen 13-15 milion euro për mbrojtësin francez.
EFEKTI KAKA - Ndërkohë barazimi i Napolit nuk ka qenë një ndeshje për t’u mbajtur mend, por është një rezultat pozitiv. Tani Milani duhet të menaxhojë avantazhin ndaj Xhenoas (4 pikë), Fiorentinës (6) dhe Romës (9). Objektivi i kualifikimit në Champions Ligë nuk duhet të dështojë dhe vendi i katërt duhet evituar për rreziqet që mund të vijnë nga përbalja paraeliminatore. Siguria për Milanin mban emrin e Kakasë, i cili në 2009 nuk është aktivizuar shumë. Rritja e tij dhe e Ronaldinjos, që në muajin e fundit ka qenë si një fantazëm, duhet t’i lejojë Milanit ta mbrojë pa problem vendin e tretë. Kuqezinjtë duhet të shfrytëzojnë katër ndeshjet e ardhshme (tre ndeshje brenda dhe transferta kundër Kievos), sepse pas vizitës në Katania, fundi do të jetë i komplikuar: në “San Siro” me Juven dhe Romën, në transfertë me Udinezen dhe Fiorentinën. Më mirë të mos rrezikohet.