24 mars 2009

Eto përgatit rinovimin e kontratës

Samuel Eto vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm. Ai po bën një paraqitje të shkëlqyer këtë sezon. Deri tani ka arritur të shënojë plot 25 gola në kampionat dhe duket se ka vendosur të hedhë poshtë mundësinë për t’u larguar. Ndryshe nga zërat që kanë qarkulluar së fundmi, një burim i afërt me futbollistin ka bërë të ditur se menaxheri i tij po përgatit rinovimin e kontratës. Kamerunasi ndihet i lumtur dhe fakti që ka mbështetje të shkëlqyer në sulm e bind edhe më tepër të qëndrojë. Në fakt, për të ishin interesuar mjaft klube prestigjioze, e në të njëjtën kohë edhe Barcelona po mendonte për zëvendësuesin e tij. Mirëpo gjërat duket se kanë marrë një rrjedhë krejt tjetër. Eto është i gatshëm të pranojë një pagë pak më të ulët se ajo që synonte në fillim, vetëm e vetëm për të qenë pjesë e kësaj Barcelone, e cila po dominon në të gjithë kompeticionet, madje ka treguar se mund të fitojë trofe shumë të rëndësishëm.