24 mars 2009

Barcelona dhe Reali, gati ofertat për Ibrën

Zlatan Ibrahimoviç është mërzitur shumë me faktin që Interi po dështon në Ligën e Kampioneve dhe ky nuk është më një lajm i ri. Por, kaq ka mjaftuar për të vënë në lëvizje gjigandët e futbollit spanjoll, pikërisht Realin e Madridit dhe Barcelonën. Klubi madrilen në fakt është në pritje të zgjedhjeve presidenciale, megjithatë askush prej kandidatëve nuk do e humbiste shansin për të sjellë në skuadër një lojtar të një kalibri të tillë. Madje, pritet që të gjithë ta hapin listën e merkatos pikërisht me emrin e tij. Për sa i përket anës financiare, klubi është në një gjendje mjaft të mirë, kësisoj i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një ofertë të majme zikaltërve, duke plotësuar kështu kushtet që mund të kërkojë presidenti Morati. Nga ana tjetër, as Barcelona nuk është treguar indiferente. Vetë trajneri i saj, Guardiola, duket se do nisë sakrificat për repartin e sulmit. Bëhet fjalë për francezin Tierri Hanri. Largimi i këtij të fundit do e spostonte Samuel Eton në krahun e majtë dhe do lejonte që Ibra të luante i vetëm në sulm. Edhe katalanasit gjithashtu mund t’i përballojnë kushtet që mund të vërë Interi. Mesa duket, e ardhmja e sulmuesit suedez ka marrë një rrjedhë krejt ndryshe gjatë ditëve të fundit dhe merkatoja e verës ka për të qenë shumë aktive për drejtuesit e klubit italian të Interit. Madje, largimi i sulmuesit kryesor të ekipit do të sillte edhe një revolucion në skuadër, për të kompensuar peshën që ka aktualisht Zlatan.