14 shtator 2008

Milito rreziku i Milanit

Skuadra e Milanit sot do të përballet me rrezikun e të porsatransferuarit te Genoa, ish-lojtarit të Real Zaragoza, Diego Milito.Milito ka refuzuar një ofertë nga Tottenham që të kthehet në “shtëpi”, ndërsa presidenti i gjenovasve ia plotësoi këtë dëshirë vetëm 11-orë para mbylljes së afatit kalimtar. Milito bëri emër në Serie B me Genoan në periudhën 2003-2005, duke shënuar 33 gola në 59 ndeshje. Mirëpo skuadra e cila tani luan në Serie A, në vitin 2005 është dashur të heqë dorë nga ai pasi u kthye në Serie C-1, për shkak të fiksimit të ndeshjeve. Sido që të jetë, sulmuesi i talentuar argjentinas, tashmë është kthyer dhe është i gatshëm të përballet me gjigantët e qytetit të modës, kundër të cilëve Genoa nuk ka fituar në shtëpi që nga sezoni i largët 1984/1985.