17 shtator 2008

Aleks-Trezege, sulmi për të thyer Zenitin

Fitorja me Udinezen dhe ndeshjet e Ligës së Kampioneve lanë disi në "hije" përplasjen e re ndërmjet Ranierit dhe Del Pieros. Kapiteni bardhezi nuk i priti mirë fjalët e teknikut ("Nëse nuk është në formë, nuk do të luajë, përndryshe do të fusnim në fushë Bonipertin"). Megjithatë, për të qetësuar situatën erdhi ndërhyrja e drejtorit sportiv, Alesio Seko. Drejtuesi i klubi u paraqit në stërvitjen e së hënës, si për të kërkuar përqendrim maksimal në sfidën me rusët e Zenitit. Për këtë ndeshje, Ranieri ka vendosur që në sulm t‘i lejë hapësirë dyshes veterane të skuadrës, Del Piero-Trezege, të cilët në fundjavë qëndruan në stolin e rezervave. "Kjo u kuptua nga të gjithë, që në Champions do të luanin Aleks dhe David", tha drejtuesi i stolit bardhezi, që do të ketë në dispozicion edhe dyshen sulmuese, Amauri-Iakuinta.