25 mars 2009

Moxhi: Ibra nuk do të largohet

Lidhur me temën më të nxehtë të serisë A, ose e thënë ndryshe, largimin e Ibrahimoviçit nga Interi, ka folur edhe Luçiano Moxhi, njeriu që e solli suedezin në Itali. “Besoj se në fund do të qëndrojë tek Interi, unë mendoj se është edhe një çështje parash. Të isha një drejtues i Interit, ky problem nuk do egzistonte, nga Milano nuk do të lëvizte. Morati do të bëjë mirë të mos e lërë të largohet një fenomen si suedezi”. Më pas ish-drejtuesi ka shpjeguar edhe arsyet pse sipas tij Ibra kërkon të largohet.
“Tek Interi ndihet mirë, por ajo që e bezdis është se ai nuk mund të bëjë gjithçka i vetëm. Në kampionat është gjithmonë vendimtar dhe mjafton ai për të zgjidhur të gjitha problemet e Interit. Ndërsa, në Champions një kundër të gjithëve nuk funksionon. Kështu ai kritikohet, e di se faji nuk është vetëm i tiji dhe fillon të mërzitet. Prej këtu vjen dhe pakënaqësia e futbollistit”, ka deklaruar Luçiano Moxhi.