24 mars 2009
Maskerano bën tifozllëk për Anglinë
Mesfushori i Liverpulit, Havier Maskerano, këshillon Kombëtaren e Anglisë që të tregojë kujdes në Kupën e Botës 2010, pasi nën drejtimin e një trajneri të madh si Fabio Kapello, ata kanë shanset më të mëdha për t’u shpallur kampionë. Argjentinasi tregoi se “Tre luanët”, të cilët dështuan në kualifikimin për në Euro 2008, kanë premisa tepër të mëdha për faktin se në gji të ekipit kanë lojtarët më të mëdhenj të momentit. “Fakti se Premier Liga është kampionati më i mirë në botë prej disa sezonesh, ka shumë domethënie. Së pari, aty luajnë të gjithë lojtarët më të mirë të botës dhe së dyti, futbolli vendës është përmirësuar ndjeshëm, - tha Maskerano për ‘The Sunday Mirror’ -. Ajo që nuk e kuptoj dot është se pse Anglia nuk ka ecur mirë si ekip kombëtar. Kanë skuadër shumë të mirë, por që nuk ka fituar ndonjë trofe. Mjafton të shohësh emra si Terri, Ferdinand, Xherrard, Lampard, Eshli Kol, Rajt-Filips, apo Runi për të konfirmuar cilësitë e tyre. Janë të gjithë lojtarë të klasit të lartë. Mendoj se nën regjimin e Kapelos, ata do të tregojnë vlerat e tyre reale në Afrikën e Jugut 2010”.