25 mars 2009

Lipi përjashton Kasanon, Italia reagon

Vendimi i trajnerit të kombëtares “axurre” për të mos thirrur talentin barez ka shkaktuar polemika
“Voto Antonion, voto Antonion, voto Antonion!”. Një nga frazat më të famshme të një prej filmave të aktorit të madh italian Toto i përshtatet në mënyrë perfekte Antonio Kasanos, thirrja e munguar e të cilit në kombëtaren italiane ka ndarë opinionin publik dhe ka provokuar reagime. Deri në atë pikë sa një kandidat për bashkinë e Barit, Mimo Maxhistro, ka kërcënuar se do ta denoncojë në Federatën Italiane të Futbollit dhe komisionin olimpik mungesën e grumbullimit të fantazistit barez. Dhe ndoshta kështu shpreson të fitojë edhe ndonjë votë. Në fakt në bazë të sondazheve të ndryshme që janë bërë në shtypin italian duket se Kasano, në këtë periudhë, pëlqehet shumë. Nga 40 mijë votues, 79,7 përqind, kanë deklaruar se nuk janë dakord me vendimin e Lipit. Vetëm 20,3 përqind ka mbështetur trajnerin fitues në Botërorin e 2006-ës.
PO NE EUROPIAN, KURRE NE BOTEROR - Dhe kështu, për momentin, stërvitja e fundit e fantazistit të Sampdorias me Italinë është bërë në Vienë, qershorin e kaluar, kur ka mbyllur europianin e tij të dytë në lot, këtë herë i eleminur me penallti nga Spanja. Ndërsa 4 vite më parë në Portugali kishin menduar Danimarka dhe Suedia për të eleminuar Italinë me rezultatin perfekt 2-2. Antonio tek Sampi po kalon një periudhë të artë, duke shënuar gola dhe duke bërë të tjerët të shënojnë, mbi të gjithë Pacinin, i cili në kombëtare është grumbulluar menjëherë. Ndërsa, Kasano ka mbetur edhe një herë tjetër jashtë: pas botërorit në Gjermani, edhe ai në Afrikën e Jugut duket i vështirë për t’u arritur. Edhe një herë tjetër është Marçelo Lipi trajneri i përfqësueses, që i mbyll derën: në të kaluarën e ka grumbulluar vetëm 2 herë në pranverën e 2005-ës: kundër Skocisë dhe Norvegjisë.
VOTO ANTONION - Ai që do ta kishte grumbulluar është një nga idhujt e tij, Euxhenio Fasheti, ndër të tjera mik i afërt i Lipit: “E respektoj punën e Marçelos, por unë një talent të jashtëzakonshëm si Kasano do ta merrja gjithmonë në kombëatre. Eshtë e qartë që duhet të kesh besim tek ai. Sepse një lojtari me cilësitë që ka ai duhet t’i dorëzosh “çelsat” e skuadrës. Ta marrësh që më pas ta aktivizosh pothuajse si mbrojtës krahu, siç ka ndodhur kundër Spanjës (Donadoni) nuk besoj se është një gjë që shërben shumë. Unë mendoj se Lipi preferon sulmues që të ndihmojnë edhe mbrojtjen. Kjo e Kasanos nuk është një histori e re. Që nga Baxhio tek Roberto Mançini, duke shkuar edhe më mbrapa në kohë deri tek Rivera, ka pasur lojtarë të mëdhenj që në kombëtare nuk kanë arritur të japin maksimumin ose janë diskutuar më shumë se sa janë aktivizuar”.
VOTO LIPIN - Ata që mbrojnë Lipin në përgjithësi bëjnë pjesë në kategorinë e trajnerëve si Alberto Zakeroni: “Jam dakord me Marçelon që me sa duket i jep përparësi grupit dhe jo individit. Secili ka metodën e tij të punës dhe duhet ta ndjekë. Vetëm se në fund shënjestra e preferuar e kritikëve është trajneri. I referohem të mëdhenjve si Trapatoni dhe Saki. Kasano po bën gjëra pozitive me Sampin, por trajneri i kombëtares duhet të zgjedhë i pakushtëzuar. Dhe Lipi mund t’ia lejojë vetes këtë pasi është kampion bote. E di mirë Marçelo se nëse do të mungojnë rezultatet, polemikat do të shtohen”, ka thënë Zakeroni.