Sedorf pranon: Napoli, gol të rregullt
Barazimi i Milanit në “San Paolo” mund të quhet me plot gojën pozitiv, nëse kujtohet anulimi i golit të shënuar nga Hamshik gjatë pjesës së parë të takimit. Një gol, që edhe për mesfushorin e Milanit, Klarens Sedorf, nuk duhej anuluar. “Realizimi i Hamshikut ishte i rregullt, – ka pohuar holandezi, – megjithatë edhe unë humba një rast të pastër përpara portës kundërshtare. Barazimi është një rezultat i drejtë, por është e vërtetë edhe që gjatë kësaj ndeshjeje jemi favorizuar nga një gabim arbitrar. Gjithsesi, në të shkuarën gabimet arbitrare në disfavor të Milanit kanë qenë të shumta. Besoj se ky barazim mund të mjaftojë, sepse gjatë kësaj jave kishim një ndeshje më të vështirë sesa Xhenoa, apo Fiorentina”. Vendi i tretë për Milanin është mundësia e fundit për të prerë direkt biletën për në Ligën e Kampioneve të edicionit që vjen. “Do të kemi mundësi që ta administrojmë avantazhin tonë me skuadrat ndjekëse, duke e siguruar shumë shpejt objektivin që i kemi vënë vetes. Nuk ka ndonjë gjë të madhe për t’u shqetësuar. Dëshiroj të shtoj se në përgjithësi gjendja fizike e skuadrës është e mirë. E ky faktor më bën të besoj gjithmonë e më shumë për kualifikimin e Milanit në Ligën e Kampioneve”.
“Ançeloti? S’e di nëse do të qëndrojë”
Menaxheri i FIFA-s, Viçenco Morabito, gjatë emisionit sportiv “Controcampo” ka deklaruar se trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, është në krye të listës së presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez. Edhe ndihmësi i Karletos, Mauro Tasoti, ka shprehur opinionin e tij mbi situatën aktuale rreth teknikut kuqezi: “Nuk e di nëse Ançeloti do të qëndrojë te Milani edhe sezonin që vjen. Është një situatë tepër delikate dhe shumë e vështirë. Të shohim se çfarë do të ndodhë deri në përfundim të kampionatit”.
“Ndihem më mirë”
Kampioni brazilian i Milanit, Rikardo Kaka, është shprehur i kënaqur për rikthimin e tij. “Më në fund ndihem mirë. Këmba akoma nuk është shëruar plotësisht, por po përmirësohet dalëngadalë, – ka pohuar braziliani. – Jam optimist për të ardhmen dhe mjaft i lumtur që do të kem mundësinë të luaj me Brazilin”. Pra, me pak fjalë, problemet në këmbën e majtë të Kakasë kanë marrë fund. Si rrjedhojë, braziliani do mund të luajë me përfaqësuesen kundër Ekuadorit dhe Perusë, për kualifikueset e Botërorit 2010.
Boketi: Kombëtarja, ëndërr që u kthye në realitet
“Grumbullimi me Kombëtaren italiane paraqet një ëndërr të shndërruar në realitet. E të mendosh që deri një vit më parë luaja në Serinë B me Frozinonen, ndërsa tani falë Xhenoas kam fituar edhe përfaqësimin në radhët e Italisë”. Kështu është shprehur mbrojtësi i Xhenoas, Salvatore Boketi, i sapogrumbulluar nga trajneri i Kombëtares italiane, Marçelo Lipi, për dy ndeshjet kualifikuese të Botërorit. “Të veshësh fanellën e Italisë, – thotë mbrojtësi, – është një arritje e madhe. Kjo më bën të jem shumë i gëzuar. Më në fund, puna ime e mundimshme ka filluar të jap frytet e saj. Tani e kam shumë të vështirë të gjej fjalët e duhura, për të përshkruar se si jam ndjerë kur më kanë komunikuar se do të jem pjesë e përfaqësueses italiane”, përfundon Boketi.
De Laurentis: Hamshik? Gjëra që ndodhin...
Presidenti De Laurentis shprehet me më shumë optimizëm mbi Napolin e së ardhmes: “Jam i kënaqur, sepse më në fund Napoli u rikthye. Donadoni ka ditur t’i japë motivacionet e duhura skuadrës. Sa për Edi Rejën, më vjen keq që e shkarkova, por nëse Napoli nuk do të shkojë në Evropë mund të themi me plot gojën se kemi falimentuar gjatë këtij sezoni”. Mbi gabimin arbitrar në rastin e golit të shënuar nga Hamshik, presidenti i Napolit thotë: “Ishte e vështirë për t’u dalluar. Për ato lloj aksionesh duhet moviola në fushë. Gabime të tilla janë gjëra që ndodhin”. Numri një i Napolit është solidarizuar më pas edhe me Galianin, pas incidentit të ndodhur: “Më vjen shumë keq për atë që i ndodhi. Për faj të 50 budallenjve, jemi duke folur sërish për këto episode të pakënaqshme”.
Donadoni fton milanistin e parë te Napoli
Trajneri i Napolit, Roberto Donadoni, e ka komentuar kështu atë gol të Hamshikut, që gjyqtari i takimit e anuloi pa të drejtë: “Goli do na kishte bërë punë. Situatat e Napolit me dy pikë më shumë në tabelën e renditjes, tani do të kishte qenë më pozitive”. Kreu i pankinës napolitane ka konfirmuar më tej interesimin e klubit bardhekaltër për sulmuesin e Milanit, Marko Borielo. “Borielo është një futbollist që më pëlqen. Ai ka vlera absolute si sulmues. Por tani duhet të mendojmë për nëntë ndeshjet e ardhshme, gjatë të cilave duhet të shpalosim vlerat tona. Përsa i përket së ardhmes së kësaj skuadre, do flas me administratorin dhe presidentin e Napolit. Ju siguroj që do bëjmë të pamundurën për të ndërtuar një skuadër sa më të fortë për sezonin që vjen”, ka përfunduar Roberto Donadoni.