02 mars 2009
Aston Vilës i vidhet fitorja në fund
Pas eliminimit nga Kupa e Anglisë dhe nga Kupa UEFA, Aston Vilës i shtohet një tjetër rezultat i hidhur, si barazimi me Stok Sitin. Në ndeshjen e luajtur dje, të besuarit e Martin O’Nill ishin në avantazh të dyfishtë (Petrov 45’, Kerju 79’) deri tri minuta para përfundimit të takimit, por dy gola të shpejtë nga Shoukros (87’) dhe Uelan (91’), bëjnë që ndeshja e luajtur në “Villa Park” të përfundojë me shifra të barabarta. Në këtë mënyrë, Aston Vila humbet mundësinë për të blinduar vendin e katërt, me 8 pikë diferencë nga Arsenali. Fitore të rëndësishme ka arritur të sigurojë Blekbërni në fushën e Hull Sitit, teksa fitoi me rezultatin e ngushtë 2-1, ç‘ka solli rokadë në zonën e ftohtë të renditjes. Boltoni vazhdon serinë e rezultateve pozitive në fushën e vet, teksa edhe këtë fundjavë arriti të fitojë me vështirësi përballë Njukasëllit. Me të njëjtin rezultat përfundon edhe takimi tjetër, ai midis Uest Hemit dhe Njukasëllit. Skuadra e trajnerit italian, Xhanfranko Zola, e zgjidhi rezultatin e takimit në mesin e pjesës së dytë, me anë të Kolison. Ky do të ishte edhe goli vendimtar i ndeshjes, për fitoren e skuadrës londineze, që mban vendin e shtatë.