14 shtator 2008

LAJME NEWS


Sevilla shënon fitore pas një loje të bukur
Ndeshje e bukur është zhvilluar sonte ndërmjet Sevillas dhe skuadrës së porsainkuadruar në elitën e futbollit spanjoll, Sporting Gijon, në të cilën ndeshje u panë plot shtatë gola.Mysafirët u gjetën në avantazh të dyfishtë me të filluar ndeshja, ndërsa yjet e Sevillas ishin ata të cilën e ndiqnin rezultatin. Veç tjerash në këtë takim u pa edhe një het-trik i lojtarit të Sporting Gijon, Bilic, i cili i dha dy herë epërsinë skuadrës së tij, ndërsa pa përfunduar pjesa e parë, i njëjti lojtar barazoi në 3-3 nga penalltia pasi Sevilla kishte përmbysur rezultatin dhe kishte krijuar epërsinë prej 3-2. Golat për nikoqirët i shënuan Chevanton (22’), Kanoute (36’ dhe 60’) dhe Maresca (37’), ndërsa lojtari i mysafirëve i cili do të mbahet mend në këtë ndeshje është sulmuesi kroat, Mate Bilic, me het-trikun e tij.
Inter shënon fitore të vështirë
Kampioni i Serie A, Inter, ka shënuar fitore të vështirë në Giuseppe Meazza kundër Catanias me diferencë të ngushtë, 2-1.Në minutën e 42-të skuadra e Jose Mourinhos u gjet në disavantazh me anë të golit të Plasmatit. Mirëpo vetëm një minutë më pas, transferi më i ri i Interit, Ricardo Quaresma, shënon golin e parë në fanellën zikaltër dhe njëkohësisht neutralizon golin e mysafirëve. Pa përfunduar pjesa e parë Inter mbetet me një lojtar më pak në ndeshje, pasi që Muntari përjashtohet me karton të kuq. Por, ngjashëm si në sezonin e kaluar, kampionët italianë nuk u dorëzuan pavarësisht diferencës në numrin e lojtarëve, dhe me të filluar pjesa e parë (48’) ata kalojnë në epërsi pas një autogoli të Terlizzit. Ishte ky goli i fitores së vështirë të kampionëve të cilët pas dy javësh ngjiten në kuotën e katër pikëve, me një barazim dhe një fitore.
Barcelona dështon sërish
Skuadra e Barcelonës ka dështuar sonte të shënojë fitore kundër Racing Santander, duke i lënë të pakënaqur tifozët e shumtë në tribunat e Camp Nou.Blaugranët e kontrolluan gjithë ndeshjen dhe ishin vetëm ata që vazhdimisht sulmonin, mirëpo sa vlejti kjo kur ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë, 1-1. Pjesa e parë përfundoi pa ndryshim shifrash përkundër mundësive të shumta të katalanasve të cilët secilën herë që merrnin topin ishin rrezik për portën kundërshtare. Mirëpo një meritë e veçantë i takon lojës defanzive të cilën bënë mysafirët gjatë gjithë ndeshjes, si edhe disa pritjeve të jashtëzakonshme të portierit kundërshtar. Afër 20 minuta pa përfunduar ndeshja u dha një penallti në favor të Barcelonës, të cilën numri dhjetë i katalansve, Lionel Messi, e shndërroi në gol. Por kjo zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi pas të vetmes gjuajtje në portën e Barcës nga lojtarët e Racing, Pereira gjendet më së miri duke ia ndryshuar drejtimin topit i cili përfundon në rrjet. Duke mbetur gjithnjë e më pak minuta, Guardiola inkuadroi katër sulmues në ndeshje, megjithatë as kjo nuk pati sukses dhe ndeshja përfundoi me barazim.
Chelsea prish debutimin e Robinhos
Robinho debutoi me gol për Manchester Cityn, por Chelsea arriti ta rikthejë rezultatin për të fituar në fund me 3-1, në ndeshjen e zhvilluar në Eastland.Sulmuesi brazilian, Robinho, aq i kërkuar nga Chelsea gjatë verës, çoi në epërsi vendasit pas vetëm 13 minutash lojë, duke shënuar nga gjuajtja e lirë. Por festa e Cityt nuk zgjati shumë dhe blutë pas tre minutash barazuan me anë të mbrojtësit Ricardo Carvalho.Djelmoshat e Luiz Felipe Scolarit vazhduar të kenë mjaft shanse, derisa erdhën edhe te goli i dytë, pas 53 minutash lojë, me anë të Frank Lampard.Nicolas Anelka çoi avantazhin e mysafirëve në 3-1 në minutën e 69-të, për të vulosur kështu edhe rezultatin. Nga minuta e 77-të blutë ishin me 10 lojtarë, pas përjashtimit të John Terryn me karton të kuq, për shkak të faulimit të Jo.
Palermo mposht Romën
Skuadra e Romës ka pësuar nga skuadra siciliane e Palermos me rezultat 3-1, pavarësisht se kryeqytetasit shënuan të parët.Ishte sulmuesi i porsatransferuar i Romës, Julio Baptista, ai që hapi serinë e golave (8’), mirëpo ky akt i tij veç sa i nevrikosi më shumë vendasit. Palermo e filloi ngadalë ndeshjen, mirëpo pas golit të pësuar ata u bënë shumë agresivë duke sulmuar vazhdimisht dhe kjo u shpagua e me një fitore shumë të rëndësishme kundër njërit nga favoritët për ta fituar Scudetton. Ish-sulmuesi i Juventusit dhe Fiorentinës, Fabricio Miccoli, njëherë barazoi, në pjesën e parë (19’), ndërsa 12 minuta pas fillimit të pjesës së dytë e shënoi golin e epërsisë për Palermon. Ndërsa në minutën 73’, pas një pasimi të Simplicios, Cavani e dribloi Donin dhe shënoi golin e tretë që i fundosi romakët, të cilët siç duket e kishin filluar ndeshjen duke menduar për Ligën e Kampionëve.
Hat-trick i Adebayor në fitoren e Arsenalit
Topçinjtë kanë shkatërruar ekipin e Blackburnit, si me lojë po ashtu edhe me rezultat, duke shënuar fitore prej 4-0, tre nga të cilët gola i shënoi sulmuesi nga Togo, Emmanuel Adebayor.Djelmoshat e trajnerit Arsene Wenger e filluan herët serinë e golave, me anë të holandezit Robin van Persie, i cili shënoi që në minutën e 8-të të ndeshjes, pas një asistimi të Theo Walcott. Adebayor dyfishoi rezultatin në çastet e fundit të pjesës së parë, pas një harkimi nga Denilson.Edhe pjesa e dytë e ndeshjes i takoi Arsenalit, të cilët arritën të gjejnë portën e vendasve edhe dy herë. Golin e dytë të tij dhe të tretin për topçinjtë, Adebayor e shënoi nga penaltia në minutën e 82-të, pasi që në zonën e rreptësisë u falua Emmanueli tjetër i Arsenalit, Eboue. Adebayor vulosi rezultatin në minutat shtesë, pasi që shmangi portierin Paul Robinson.Me këtë fitore Arsenali grumbullon 9 pikë, dhe ngrihet në vendin e dytë, së paku deri në përfundim të ndeshjes Manchester City – Chelsea. Në vendin e parë aktualisht gjendet Liverpooli me 10 pikë.
Bayern shënon fitoren e dytë, Hamburg kryeson tabelën
Kampioni i Bundesligas, Bayern Munich, ka shënuar fitore bindëse në udhëtim kundër FC Cologne me rezultat 3-0, ndërsa Hamburg është ngjitur në vendin e parë pas fitores së sotme kundër Bayer Leverkusen me rezultat 3-2.Ishte sot dita e sulmuesit italian, Luca Toni, i cili pas atyre paraqitjeve shumë të dobëta në ndeshjet kualifikuese për KB 2010 me Italinë, arriti që të tregojë një lojë të dobishme. Dy golat e parë në ndeshje mbajnë pikërisht firmën e ish-sulmuesit të Fiorentinës. Toni arriti që t’i jep avantazh të dyfishtë bavarezëve (53’ dhe 60’) duke treguar se ai ende është një sulmues në të cilin duhet llogaritur. Ndërkohë, sulmuesi gjerman, Lukas Podolski, i cili ka probleme me drejtuesit e skuadrës për shkak të mungesës së minutazhit të lojës, në fund të ndeshjes shënoi golin e tretë për mysafirët. Nga ana tjetër, në krye të tabelës është ngjitur Hamburgu me 10 pikë, i cili shënoi fitore kundër Leverkusenit me rezultat 3-2, ndërkaq Schalke e cila kryesonte barazoi në udhëtim me Borussia Dortmund (3-3), pavarësisht se udhëhoqi 3-0 deri në minutën 67. Werderi është ngritur në kuotën e pesë pikëve pas fitores ndaj skuadrës së Ervin Skelës, Energie Cottbus me rezultat 3-0, derisa Stuttgarti ka barazuar pa gola si mysafir i Hoffenheimit. Ndeshja tjetër ndërmjet Herthas dhe Wolfsburgut, përfundoi me rezultat të barabartë 2-2, derisa fitoren vendasve ua pamundësoi Pantelic, i cili huqi një penallti në minutën e 64.
Benitez: E merituam tërësisht fitoren
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, ka deklaruar se të tre pikët e fituara në derbin përballë Manchester United, janë tërësisht të merituara, veçanërisht në pjesën e dytë të ndeshjes, kur të kuqtë dominuan.“Ndjehem shkëlqyeshëm pas kësaj fitore. Adhuruesit e merituan një sukses të tillë, lojtarët po ashtu pasi që luajtën në mënyrë fantastike. Ndeshja ishte e shkëlqyeshme dhe merituam të fitojmë, sidomos në pjesën e dytë, kur luajtëm më mirë, nuk u dorëzuam dhe u shpërblyem për këtë”, ka thënë Benitez pas ndeshjes.“Të gjithë e dimë se Ryan Babel ka kualitete të cilat çmohen në ekip. Ai shënoi një gol të shkëlqyeshëm, por në përgjithësi ekipi luajti shumë më mirë se sa rivali dhe e meritoi fitoren”, shtoi spanjolli.
Liverpool mposht kampionin
Liverpool ka arritur të përmbysë rezultatin dhe të dalë fitues në derbin e javës së katërt të Premierligës, duke e mposhtur kampionin në fuqi, Manchester United, me rezultat 2-1.Djajtë e Kuq kaluan mjaft herët në epërsi me anë të golit të shënuar nga argjentinasi Carlos Tevez, pas një asistimi nga sulmuesi i ri i Manchesterit, Dimitar Berbatov (3’). Por të kuqtë arritën të barazojnë pas 26 minutash lojë, falë autogolit të Wes Brown, pas gabimit të portierit Edwin van der Sar.Pjesa e dyte ishte tërësisht në dominim të vendasve të Liverpoolit, të cilët arritën tek goli i dytë dhe i fitores me anë të zëvendësuesit Ryan Babel, pas një asistimi nga holandezi tjetër Dirk Kuyt, 13 minuta para fundit të ndeshjes (77’).Minutat e fundit, Manchesteri luajti me 10 lojtarë, pas përjashtimit të mbrojtësit serb Nemanja Vidic, për shkak të dy kartonëve të verdhë.Kjo fitore është e para për Benitezit ndaj Manchester United në ndeshjet e Premierligës, pas shtatë humbjesh dhe një barazimi.