03 mars 2009
Tirana zyrtarizohet në krye të kampionatit
Tirana është përfundimisht e para në tabelën e klasifikimit pas përfundimit të fazës së dytë. Kryeqytetasit janë në të njëjtën kuotë me shkodranët e Vllaznisë, me 41 pikë. Bazë për renditjen përfundimtare është marrë golavorazhi, të cilin Tirana e ka më të mirë. Zyrtarizimi ka ardhur nga Federata e Shqiptare e Futbollit, pas konsultimit që ka patur me atë italiane. Pika C e nenit 26 për veprimtaritë sportive, shpreh, në rast pikësh të barabarta ndërmjet dy ose më shumë skuadrave, veprohet duke mbajtur parasysh diferencën e golave të shënuar dhe pësuar. Diferenca e golavorazhit të Tiranës është +17, ndërsa, Vllaznia e ka +11. Ky fakt rendit përfundimisht Tiranën në vendin e parë të klasifikimit. Vendi i parë ka shumë avantazhe, njëri prej të cilëve është përballja direkte në ndeshjen e fundit të kampionatit. Në këtë rast, Tirana do të jetë pritësja e Vllaznisë në fushën e saj.