03 mars 2009
“S’fitojmë kurrë me Kolinën dhe bandën e tij”
Prej kohësh, Daniele De Rosi ka kritikuar ashpër “ndihmat” e dhëna në favor të Interit. Në kampin e verdhekuqve nuk kanë harruar sidomos “rrëmbimin” e titullit nga zikaltrit, në javën e fundit të sezonit të shkuar. Por kësaj here, mesfushori që mbante shiritin e kapitenit gjatë sfidës së të dielës në “San Siro” i ka tejkaluar të gjithë kufijtë verbalë me sulmet kundër skuadrës së Murinjos dhe ndaj gjyqtarëve. I nxitur edhe nga Toti (“bëj rrëmujë, nuk mund ta mohojnë atë që është e dukshme”, duhet t’i ketë thënë), De Rosi ka lëshuar kritika të ashpra kundër penalltisë së Balotelit: “Nuk duhej dhënë fare. Unë as që e preka, nuk më intereson aspak se çfarë kanë nxjerrë imazhet televizive”. Dhe ky është vetëm fillimi i një arsyetimi më të thelluar dhe me tepër vrer: “Tashmë u binda se me Romën do ta kem të pamundur të fitoj kundrejt Interit. Sa herë që shkojmë në Milano mendojmë se mund të ndodhin gjëra ndryshe nga e kaluara, por si për çudi, gjithçka vazhdon të përsëritet. Kam filluar të mendoj se me Romën time është e pamundur të fitoj titullin. Dhe ju nuk mund ta imagjinoni sesa të vështirë e kam t’i them këto fjalë, sepse unë i dashuroj këto ngjyra dhe ëndërroj të fitoj shumë me këtë fanellë”. Më pas kanë vazhduar sulmet për Kolinën, me terma mjaft të rëndë: “Stimuli që më mbetet është të luaj me zemër për skuadrën time. Dhe këtë nuk mund të ma mohojë askush, as gjyqtari Ricoli, as Kolina dhe as banda e tyre... Pse gjyqtarët nuk mund të flasin pas ndeshjeve? Do të ishte më mirë. Kështu Ricoli mund të shkonte para kamerave dhe të thoshte atë që më tha mua në fushë: ‘Faullin nuk e shkaktove ti, por Mota, i cili i dha një të shtyrë Balotelit’. A e kuptoni se ç’po ndodh?”, ka përfunduar De Rosi. Edhe kapiteni Françesko Toti nuk ka harruar të protestojë: “Penalltia? Nuk di ç’të them, kam mbetur pa fjalë”.