24 mars 2009

Roma bën llogaritë pa Champions

Vendi i katërt duket gjithmonë e më shumë një ëndërr e largët, megjithëse klubi vazhdon ta konsiderojë një objektiv për shpëtimin e sezonit. Por sidomos pas humbjes ndaj Juves, çdo gjë është larguar më shumë. Nëntë ndeshjet që mungojnë deri në fund të kampionatit, verdhekuqtë do t'i luajnë si finale. Megjithatë, është e pashmangshme që në ambient do të fillohet të bëhen llogaritë për të ardhmen. Duke parë mungesën në Champions, do të duhet t'i bëhet ballë gjithçkaje me një buxhet më të vogël financiar. Kështu, për përforcimin e mundshëm të skuadrës në sezonin e ardhshëm janë duke u hedhur sytë sidomos nga sektori i të rinjve, ku vazhdojnë të rriten talente që mbeten në vëmendjen e Spaletit. Por mbi të gjitha, duhet të frenohen largimet e mundshme. Përreth Mekses ka prej kohësh interesim të madh nga klubet evropiane, ndërsa Juan ndiqet nga Barcelona. Duket vërtet një periudhë tranzicioni dhe dyshimesh për Romën, që pret përgjigje edhe nga kryesia e klubit, në lidhje me strategjinë që do të ndiqet. Ndërkaq, disa ditë pushim dhe pastaj përsëri me "kokën ulur", duke synuar shfrytëzimin e pauzës për kombëtaret. Kjo periudhë do të shërbejë për të rikuperuar ndonjë të dëmtuar. Sidomos, përsa i takon Françesko Totit, i cili pas 15 ditëve dhe një pune më të qetë, mund të kthehet në dispozicion ndaj Bolonjës. Priten edhe Perrota e Kaseti, ndërsa duhen vlerësuar përmirësimet e Akuilanit. Roma, me rifillimin e kampionatit, mund të mbështetet fort te faktori fushë, përderisa luan 3 ndeshje në shtëpi: fillimisht ndaj Bolonjës, pastaj derbi dhe në fund Leçe.