24 mars 2009

Një "sms" kërcënuese për sekretarin Bello

Përplasjet për zgjedhjet në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar duket se tashmë kanë kaluar në një fazë tjetër, atë të kërcënimeve. Kjo është e reja më e fundit në lidhje me zhvillimet e fundit në këtë institucion. Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH-it, Stavri Bello, ka bërë një denoncim në policinë e Tiranës pas një kërcënimi të bërë me sms për shkak të detyrës së tij. I kontaktuar në tel nga "Top-Channel", sekretari Bello ka pohuar se do të ndjekë rrugën e drejtësisë për të zbardhur këtë çështje. Si fillim ai ka dhënë deklaratën e parë në një nga komisariatet e policisë së kryeqytetit. Kjo deklaratë pritet të dërgohet ditën e sotme në Prokurorinë e Tiranës. Bello pohon se nuk ka asnjë konflikt pune dhe se nuk mund të hamendësojë cili mund të jetë kërcënuesi. Në fund ai ka shtuar se ka informuar edhe drejtuesit e institucioneve të larta të sportit evropian dhe botëror për këtë kërcënim me sms. E megjithatë, në ambientet e KOKSH-it nuk mungojnë zërat që hamendësojnë se një gjë e tillë mund të ketë lidhje me polemikat e fundi në këtë institucion, ku tashmë ka një konflikt të hapur mes dy palëve. Në njërën anë qëndrojnë drejtuesit e vjetër, ndërsa në tjetrën ata të rinj, të zgjedhur nga Asambleja e jashtëzakonshme e KOKSH-it.