24 mars 2009
Morati: Edhe Ibrahimoviç e ka një çmim
Interi nuk gjen paqe. Te zikaltërit vazhdon çështja "Ibrahimoviç". Pas pakënaqësisë së shfaqur nga sulmuesi suedez pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, deklaratat e përsëritura gjatë fundjavës kanë sjellë reagimin e drejtuesve të klubit. I pari që ka ndërhyrë ishte presidenti Morati, i cili shprehu dy koncepte: 1. Interi as që mund të imagjinohet pa Ibrahimoviç dhe 2. nëse vërtetë dëshiron të ndërrojë ekip, çdo lojtar e ka një çmim… "Ndoshta mund të ndodhë që Ibra transferohet në një tjetër skuadër dhe Championsin e fiton Interi", shpjegoi patroni i kampionëve të Italisë. "Në disa raste, mund të pendohesh pas disa vendimeve që merr. Ai ishte i mërzitur pas eliminimit nga Mançesteri, ashtu si edhe unë. Fjalët e tij tregojnë ambicien që ka. Nuk është kaq e lehtë të zgjedhësh një skuadër, me të cilën e ke të sigurt se e fiton këtë trofe. Gjithsesi, në rastin e Ibrahimoviç, problemi nuk është i aspektit ekonomik e nuk bëhet fjalë as për antipati ndaj skuadrës". Por, nëse sulmuesi do të këmbëngulte që të largohej? "Të gjithë e kanë një çmim, nëse do të vendoste të mos luante më tek Interi, një çmim do ta kishte edhe Ibra. Nuk do të kemi asnjë takim në fund të sezonit, ekziston një vlerësim reciprok, mjafton të flasim që ta kuptojmë njëri-tjetrin". Në deklaratat e Moratit nuk ka munguar as pjesa romantike: "Nuk mund të mendohet Interi pa Zlatanin, për vetë peshën që ky lojtar ka mes tifozëve. Më pëlqen të mendoj se ai do të vazhdojë të luajë me ne".Ndërkohë që, presidenti lëshon sinjale dashurie, spekulimet për të ardhmen e suedezit me origjinë boshnjake janë shtuar. Asnjëherë më parë, ai nuk është dukur kaq pranë largimit nga zikaltërit. Barcelona është klubi më i interesuar për Ibrahimoviç. Reali e Madridit e sheh si "kartë rezervë" nëse dështon afrimi i Kristiano Ronaldos, ndërsa Mançester Junajted kërkon ta blejë nëse humbet mesfushorin portugez. Të gjitha dyshimet lindin nga deklaratat "enigmatike" të 27-vjeçarit dhe menaxherit të tij, Mino Raiola. Në situatën e krijuar ka ndërhyrë edhe Hoze Murinjo. Nga Lisbona, ku tërhoqi një diplomë "honoris causa", trajneri luzitan tha: "Pakënaqësia e Ibrahimoviç? Të gjithë u zhgënjyem nga Liga e Kampioneve, por personalisht shoh vetëm mirëqenien e tij. Mendoj se tani do të ketë një stimul më shumë: mund të fitojë klasifikimin për golashënues. Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer dhe momentalisht po luan më mirë se në të kaluarën. Besoj se fjalët e tij janë keqinterpretuar". Më tej, drejtuesi i stolit zikaltër shtoi: "A kam bindur ndonjëherë një lojtar që të mos largohet? Diçka të tillë e bëra me Dekon, në vitin 2003 kur ishim te Porto, pasi fituam Kupën UEFA. Në sezonin pasardhës triumfuam në Champions…". Murinjo kërkon të "kurojë" yllin e skuadrës së tij: "Humori i keq i Ibrës nuk ka lidhje me skuadrën, e kuptoj keqardhjen e tij pas Mançesterit, por që prej atij eliminimi e shoh më të motivuar".