02 mars 2009

“Interi na vodhi 2 pikë”

Trajneri i skuadrës së Romës, Luçiano Spaleti, është shprehur shumë polemik mbi arbitrimin në favor të Interit dhe sulmon ashpër gjyqtarin Ricoli, por në mënyrë indirekte edhe zikaltrit: “Unë e pashë qartë që në momentin e penalltisë Baloteli ishte hedhur në zonë, ndërkohë që gjyqtari nga shumë pranë akordoi 11-metërshin. Të gjithë kanë televizor në shtëpi dhe mund ta konfirmojnë këtë gjë. Më vjen shumë keq, por këtu duan të na marrin për injorantë dhe sigurisht që nëse askush nuk ngre zërin, do të thotë se jemi me të vërtetë të tillë. Ne e kishim mbyllur ndeshjen, pasi Brigi na kaloi në avantazh 3-1, por më pas ajo penallti ndryshoi gjithçka, pasi lodhja në këmbët tona ishte e madhe edhe pas ndeshjes në mesjavë. Më vjen vërtet shumë keq, pasi sot (dje), Interi na ka vjedhur dy pikë të rëndësishme për ne”