25 mars 2009

“Interi, kryesues falë disa favoresh”

“Për momentin, Interi meriton të kryesojë kampionatin, pasi në momentet e vështira ka fituar me lehtësi, por gjithsesi, ashtu siç ndodh kundrejt skuadrave të mëdha, zikaltrit kanë pasur me vete edhe ndihmën arbitrare”. Xhanluixhi Bufon nuk nguron të shprehet hapur mbi kampionatin e mbërritur deri në këtë pikë. Portieri juventin gjithsesi, pranon supremacinë e formacionit të Zhoze Murinjos, i cili sigurisht që do të jetë shumë i kënaqur nga fjalët e numrit 1 bardhezi, por lë pak vend edhe për polemika. “Profecia e Murinjos po realizohet, “Roma, Milan, Juventus, zero tituj në fund të sezonit”? Mbase mund të ketë parashikuar drejtë, por gjithsesi, ne jemi ende në luftë për dy trofe, kampionatin dhe Kupën e Italisë, ku kjo e fundit duket më e lehta për t’u arritur kundrejt titullit. Gjithsesi, ne do të bëjmë të pamundurën tonë deri në fund të sezonit dhe më pas të shohim se ku do të shkojmë. Çfarë na mungon për të fituar? Sigurisht që një kampion i madh, i cili mund të bëjë diferencën kundrejt lojtarëve të tjerë që kemi aktualisht në skuadër, - vazhdon portieri i Juventusit. – Sigurisht, që nëse shoqëria do të impenjohet në merkaton e ardhshme, të bëjë një blerje të tillë, padyshim që sezonin e ardhshëm do të niseshim me synimin për të fituar titullin, por pse jo të ëndërronim edhe Evropën”. Amauri – Bufon aktualisht është i grumbulluar me përfaqësuesen në Koverçiano dhe sigurisht që emri i Amaurit vazhdon të përflitet brenda grupit “axurr”, por deklaratat e para të shokëve të tij të mundshëm si Toni e Gatuzo janë negative. “Nuk mendoj se Gatuzo nuk do ta mirëpriste Amaurin në Kombëtare, por ndoshta atë ditë do të ketë qenë i zemëruar dhe i ka shpëtuar një fjalë më shumë seç duhet. Gjithsesi, unë do të isha dakord që në Kombëtare të afroheshin ata që mund ta përmirësojnë skuadrën tonë dhe mbi të gjitha të ndjejnë peshën e fanellës së kaltër”. Reduktimi i rrogës – Një temë tjetër e përfolur nga Bufon është reduktimi i pagave. Portieri është futbollisti më i paguar te Juventusi me 5.5 milionë euro në sezon dhe në një periudhë krize, të gjitha skuadrat kërkojnë të bëjnë disa shkurtime, por Bufon nuk duket i gatshëm të bëjë diçka të tillë, duke u përgjigjur shkurt: “Besoj se përfitoj atë që meritoj”.