03 mars 2009

“Fergusoni është i pabesueshëm”

Tani që Mançester Junajtid ka siguruar triumfin në Kupën e Botës për klube dhe “Carling Cup”, shumë prej sportdashësve anglezë janë të bindur se formacioni i Aleks Fergusonit do të dominojë edhe tri kompeticionet e tjera ku merr pjesë. I fundit që beson te një sukses i tillë është legjenda e futbollit anglez, Sër Bobi Çarlton. Në intervistën e dhënë për “Sky Sports”, ai u shpreh: “Junajtid është favorit për fitimin e pesë trofeve. Trajneri Sër Aleks Ferguson po më mahnit me punën që po bën. Vendimmarrja e tij dhe marrëdhënia që lojtarët kanë me të më lënë pa mend. Është thjesht një trajner i pabesueshëm. Nuk mendoj se ai shqetësohet nga arritjet e Liverpulit, pasi ka synimet e veta. Ai gëzon shumë respekt për klubin e Liverpulit, megjithatë, dëshiron që “djajtë e kuq” të jenë më të mirët në historinë e futbollit anglez”.