"Gardiani" i bardhezinjve rrëfen se si refuzoi Romën e Barcelonën për Juven...
"Titujt i fituan në fushë dhe me meritë". Në një intervistë të gjatë për "Sky", Xhixhi Bufon kthehet tek argumentet e të kaluarës: "calciocaos"-i mbi të gjitha, pastaj Seria B dhe kalimi nga Parma te Juventusi. Portieri i Juves e fillon pikërisht nga transferimi në Torino, në vitin 2001: "Ka qenë gjithmonë një krenari për mua që jam blerë 105 miliardë lireta të vjetra nga një klub si Juve. Besoj se jam portieri i vetëm për të cilin janë shpenzuar kaq shumë para. Kjo është një tjetër e dhënë që më bën krenar dhe që do të më japë kënaqësi gjithmonë". Roma - "Besoj se e kam demonstruar gjatë viteve, që kjo shifër ka qenë e shpenzuar në mënyrën e duhur dhe jo ashtu siç mendonin të gjithë në atë kohë, ka shtuar Bufon. Duke folur për ditët e sotme, nëse është e vërtetë apo jo nuk e di, por ofertat që i bëhen Juves për mua janë afër këtyre shifrave. Mund të them se kanë kaluar 8-9 vite dhe ndoshta Juventus më ka blerë më lirë se sa duhet. Zgjodha Juven, ka nënvizuar portieri bardhezi, sepse ma këshilluan Silvano Martina, menaxheri im, dhe babai im. Në atë periudhë duhej të zgjidhja mes Romës, Barcelonës dhe Juves. Në fi llim miqësia ime e madhe me Totin dhe Vito Skalën më shtynin drejt Romës, ku ishte edhe Kapelo dhe dukej se kishte filluar cikli i një skuadre të pathyeshme. Kujtoj që Silvano dhe babai im kishin shkuar të flisnin me Sensin, më pas për arsye ekonomike presidenti i Romës u tërhoq dhe preferoi Pelicolin, duke paguar më pak, por që në atë kohë ishte goxha". Barcelona - "Edhe me Barcelonën kisha kontakte shumë domethënëse, tregon numri një i portës së Juventusit, por në momentin kur Silvano Martinapo shkonte për në Spanjë, për të mbyllur tratativat e nisura, atë e mori në telefon Luçiano Moxhi dhe kështu u fut në mes familja Anjeli. Unë kisha një dëshirë të madhe për të fituar një titull kampion. Babai im më thoshte se Juve nuk fitonte titull prej pesë vitesh dhe në një periudhë minimale prej dy vitesh do ta rifitonte atë. Në fund ndoqa këshillën e tij dhe ka qenë vërtet një zgjedhje e bukur". Titujt - Më pas Bufon prek edhe çështjen më të shumëpërfolur të futbollit italian, pikërisht atë të heqjes së dy titujve të fituar nga Juventusi, pasi u konsiderua se drejtuesit e kësaj skuadre ishin edhe protagonistët kryesorë të fenomenit tashmë të një njohur "Calciopoli". Por me një përfundim të tillë nuk është aspak dakord portieri i "Zonjës së Vjetër", i cili pretendon se ata dy tituj janë fituar me meritë të plotë nga ai dhe shokët e skuadrës. "Me Juventusin e Kapelos kam fituar dy tituj, që më pas na i hoqën. Për mua kjo nuk ndryshon asgjë, unë e di se çfarë kam bërë, e di që kam fituar dhe me meritë gjithçka në jetën time. Këto janë bindjet e mia dhe askush nuk do të mundë të mi heqë, edhe sikur të merret çfarëdolloj vendimi në procesin e hapur nga drejtësia. Secili nga ne brenda vetes ka një koshiencë me të cilën dialogon, secili nga ne e di se çfarë ka fituar në fushë në mënyrë të merituar", ka mbyllur Bufon.