Trajneri i Juventusit beson se skuadra e tij mund të përballet me këdo
“Juventusi i kompletuar nuk ka frikë nga asnjë kundërshtar”. Zakeroni nuk ka asnjë dyshim, skuadra e tij nuk ka frikë nga përballjet. Me fitoret bardhezinjtë kanë rigjetur besimin dhe rikthimi i lojtarëve të dëmtuar do ta lejojë trajnerin të mbështetet tek rotacioni për të lënë pushim lojtarët që janë aktivizuar më shumë, si për të qëndruar në garë në kampionat, po ashtu dhe në Ligën e Europës. “Ka një luftë të ashpër për vendin e 4-t në kampionat. Stimujt nuk na mungojnë, një futbollist luan tek Juventusi për të qenë kompetitiv në nivelet më të larta, nuk kam nevojë t’i motivoj më tepër se ç’duhet lojtarët. Të luash në Ligën e Europës do të thotë të harxhosh shumë energji fizike dhe psikologjike. Por kualifikimi në turin tjetër të karikon edhe për kampionatin”, ka thënë Zakeroni.
EUROPE E HIDHUR - “Nëse kam menduar për faktin se pas një jave Juventusi rrezikon të jetë skuadra e vetme italiane në Europë? Kam bërë shumë tifo për Fiorentinën, për Milanin dhe tani do të bëj për Interin. Nuk jam hipokrit. Eshtë e rëndësishme për të gjithë ne që ekipet italiane të përparojnë sa më shumë të jetë e mundur. Interi është i fortë, nuk e ka dominuar kampionatin vitet e fundit rastësisht”.
DIEGO DHE DEL PIERO - “Po vlerësoj mundësinë për të lënë pushim Diegon, por për ta bërë një gjë të tillë duhet të marr në konsideratë edhe gjendjen e të tjerëve. Del Piero para ndeshjes me Fiorentinën nuk ka qenë në formë të mirë. Ai ka qenë shumë i lodhur, sepse e kam aktivizuar shumë në dy javët e mëparshme. Besoj shumë tek ai, dua ta kem në maksimumin e formës. Kaseres dhe Xhiovinko nuk janë stërvitur me skuadrën gjatë javës, nuk besoj se do t’i grumbulloj”.
RIKTHIMET - “Kamoranezi ka karakteristikat e nevojshme për të luajtur si mesfushor i avancuar, por mbi të gjitha luan më mirë si mesfushor i krahut të djathtë. Aty jep maksimumin, teknika e tij dhe personaliteti bëjnë të mundur që ai të luajë edhe në pozicione të tjera të fushës, duke i dhënë shpejtësi lojës. Mund të luajmë njëkohësisht me dy mesfushorë të avancuar, nuk shikoj asnjë problem. Iakuinta nuk mund të aktivizohet akoma për 90 minuta të plota, por duhet të luajë dhe nuk kam vendosur akoma nëse do ta fus nga minuta e parë në lojë apo në vazhdim të takimit”.
SIENA - “Ndeshjet më të mira i ka zhvilluar në transfertë kundër skuadrave të mëdha të kampionatit. Duhet të përballemi me Sienën duke përdorur armët e saj, por me një nivel teknik më të lartë. Lodhje pas Fulhemit? Nesër (sot) nuk do të luajnë të njëjtët lojtarë që janë aktivizuar në Ligën e Europës”, ka thënë Zakeroni.