Ka mundësi që midis tre favoritëve, Benitez, Prandeli dhe Kapelo, trajneri i ardhshëm i Juventusit të jetë Alberto Zakeroni. Ka qenë vetë tekniku që ka bërë të ditur se vlerësimi kundrejt punës së tij ka bërë që drejtuesit bardhezi, në ditët e kaluara, të hedhin një hap drejt rikonfirmimit të teknikut. “Drejtuesit më kanë pyetur nëse ishte e mundur që unë të qëndroja edhe vitin e ardhshëm nëse do të ishte e nevojshme dhe unë u kam thënë ‘me gjithë qejf’. Por nuk ka patur kohë për të folur për detajet, ka patur menjëherë ndeshje dhe stërvitje. Më pas nga klubi më është bërë sërish kjo ofertë javën e kaluar. Do të riflasim… Ndihem shumë i qetë. E di mirë cila është detyra ime dhe do të vazhdoj përpara.
Marrëveshja ime ka qenë e qartë që në fillim me drejtuesit. Edhe më përpara se të flisnim për kontratën unë dhe klubi kemi rënë menjëherë dakord për përfundimin e bashkëpunimit në muajin qershor. Dhe në fundin e qershorit do të shohim”. Dhe nëse Juventusi do ta mbyllë kampionatin në vendin e katërt dhe ndoshta do të fitonte dhe Ligën e Europës, atëherë hipoteza për ta parë Zakeronin në drejtim të Juventusit edhe vitin tjetër ndoshta do të kthehet në realitet.