Dokumentet ndodhen në Prefekturën e Torinos dhe juventini shpejt merr pasaportën
Brenda një muaji, Amauri Karvajo de Souza mund të bëjë betimin dhe të bëhet menjëherë një qytetar italian. Është ky lajmi që vjen nga Federata Italiane e Futbollit, pasi i ka kërkuar Ministrisë së Brëndshme të analizojë situatën e sulmuesit brazilian.
Nga kjo ministri qenka nisur dokumentacioni i plotë për Prefekturën e Torinos, që duhet të njoftojë vetë futbollisin e lindur në Brazil për përfundimin pozitiv të praktikës. Pra është për t’u vendosur vetëm data e betimit. Kësisoj për Amaurin hapet dera drejt kombëtares “axurre”, ndërsa Marçelo Lipi, në të vërtetë kishte thënë që do ta merrte në konsideratë lojtarin 29-vjeçar vetëm nëse do të fitonte nënshtetësinë italiane.
Nënshtetësi që do t’i dorëzohet juventinit në kohë rekord. Nëse procedura normalisht kërkon pak kohë (”zakonisht duhet nga një deri në dy vjet”), ka dashur të nënvizojë Xhiani Xhiakone, përgjegjësi i shërbimeve civile në Bashkinë e Torinos, burokracia në këtë rast mund të pësojë një përshpejtim të ndjeshëm dhe Amauri mund ta fitojë pasaportën në harkun e pak javëve. Që do të thotë edhe një perspektivë në kombëtaren “axurre”, duke parë se Lipi mund ta thërrasë.
Ndërkohë emisioni satirik italian “Le Iene” as që do t’ia dijë për qetësinë e portierit të kombëtares Xhixhi Bufon. Autorët sajuan një flirt të ri mes shoqes së tij Alene Seredova dhe një tjetër juventini. Pas shakasë paraardhëse që shihte të përfshirë Amaurin, këtë herë i përgjedhuri ishte mbrojtësi Xhiorxhio Kielini. Bufonit iu tregua një faqe e gazetës “Leggo” me “scoop” in fals. Por këtë radhë, për të shmangur çdo keqkuptim, Xhixhi u informua menjëherë që bëhej fjalë për një shaka.
Para disa javëve, me ndihmën e tij “Iene Bugs”, portieri bardhezi vendosi “të hakmerrej” ndaj drejtorit të gazetës që publikoi lajmin e një flirti të mundshëm mes Seredovës dhe Amaurit. Fakt që sipas gazetës, kishte ndezur edhe një grindje mes dy shokëve të skuadrës. Numri një bardhezi më pas pohon që karriera e tij është absolutisht e lidhur me kombëtaren: “Kur mos të më thërrasin më, atëherë do të tërhiqem nga kombëtarja. Nuk kam ndër mend të vazhdoj pambarimisht…”, - thotë Bufoni.