Edhe pse kishte epërsinë e tre golave, Juventusi nuk ka nxjerrë më shumë se një pikë në takimin kundër Sienas.
Vendasit e filluan furishëm takimin duke shënuar tri herë brenda dhjetë minutash.
Ishte ikona Alex Del Piero që hapi serinë e golave në minutën e dytë duke shënuar golin e 300-të në karrierë, ndërsa pesë minuta më pas e dyfishoi epërsinë.
Me një gol të bukur nga distanca, Antonio Candreva shënoi për rezultatin 3-0 (10’).
Mirëpo, përkundër kësaj epërsie mysafirët nuk u dëshpëruan. Massimo Maccarone ngushtoi epërsinë në 3-1 në pjesën e parë (16’), ndërsa me të filluar pjesa e dytë (46’), Abdel Kader Ghezzal shënoi për rezultatin 3-2.
Goli i barazimit erdhi nga pika e bardhë, ndërsa realizues ishte sërish Abdel Kader Ghezzal (74’).
Pas këtij barazi, Zonja e Vjetër mban pozitën e pestë me një pikë më pak se Palermo.