Nipi i Anjelit është zbavitur nga ndeshja e “Zonjës” me Fiorentinën, por ruan euforinë
Kemi akoma shumë për të punuar. Me këmbë në tokë. Çdo ndeshje rifillon, ky është leksioni që kemi mësuar, as të frymëzohemi, as të ekzaltohemi”. Kështu u shpreh Xhon Elkan, duke folur për situatën që po kalon Juventusi: “Duhet të jemi e të qëndrojmë të kujdesshëm si në kupë ashtu edhe në kampionat dhe t’i luajmë të gjitha ndeshjet në maksimum.
Juventusi ka treguar që mund t’ia dalë”. Në të vërtet nuk ka mundur ta ndjekë Juventusin e tij në Firence për përkushtime në punë, por e ka parë ndeshjen në televizor. “Skuadra më pëlqeu. Një ndeshje zbavitëse”. Xhon Elkan, aksionari i klubit bardhezi, kthehet të shohë më shumë dritë sesa hije. “Kundër Fiorentinës pashë dëshirën e lojtarëve për të fituar pas humbjes ndaj Palermos, - vazhdon nipi i Anjelit.
- Shpresojmë të paraqitemi mirë në Ligën e Europës, mund të fitojmë diçka”. Fitorja ndaj vjollcëve i ka dhënë frymëmarrje bardhezinjve në renditje. Puna e Zakeronit ka filluar të çmohet nga krerët e klubit, që janë kuriozë të kuptojnë kufijtë dhe energjitë e një skuadre, që pa rekordin e dëmtimeve (50-të lojtarë deri tani përgjatë sezonit), mund të kishte synuar për më lart. I nisur si trajner i përkohshëm, me një kontratë disamujore, e cila i skadon në qershor, Zakeroni mund t’i bindë drejtuesit bardhezinj të meritojë një tjetër mundësi për sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë një nga notat pozitive të ndeshjeve të fundit është edhe Antonio Kandreva, i cili erdhi në Torino gjatë merkatos së janarit për të mbyllur boshllëqet e një mesfushe të shkatërruar nga dëmtimet dhe në pak ndeshje është shndërruar në një lojtar thelbësor. Një gol ndaj Bolonjës dhe një asist me Fiorentinën, i aktivizuar nga Zakeroni deri tani në të gjitha rolet e mesfushës dhe të shtunën më në fund në pozicionin që vlerëson më shumë, fantazist, Kandreva është duke fituar një hapësirë të rëndësishme dhe tifozët e Juventusit kanë nisur të besojnë në investimin e bërë për ish-mesfushorin e Livornos.
Zakeroni, si shumë të tjerë, e shikon fantazist, por nuk përjashton një të ardhme si “regjisor” për romanin. Për sa i takon infermierisë bardhezi, trajneri Zakeroni mund të buzëqeshë për gjendjen e Xhiorxhio Kielinit. Rezonanca magnetike, së cilës iu nënshtrua qendërmbrojtësi në klinikën mjekësore “Fornaca”, ka përjashtuar këputjen e muskulit të tendinës të kofshës së majtë, duke konfirmuar atë që kishte parashikuar më përpara stafi mjekësor juventin. Asgjë e rëndë pra: mbrojtësi duhet të qëndrojë vetëm një javë pushim. Do të mungojë për ndeshjet e radhës ndaj Fulhemit në Ligën e Europës dhe Sienës në kampionat.