Ish-drejtori i përgjithshëm bardhezi analizon situatën e fundit: Juvja e ndërtuar si mos më keq
Edhe pse vazhdon të jetë i pezulluar për shkak të procesit “Calciopoli” në 2006-ën ku u përfshi ai me gjithë Juventusin e tij, Luçiano Moxhi nuk heq dorë së komentuari futbollin italian. Nga Interi në Champions, te shpresa e Milanit deri te Roma dhe Napoli, që të gjitha në “fokusin” e “Big Luçianos”. Ish-drejtori i përgjithshëm juventin e fillon me zikaltrit e Mourinjos.
Mourinjo, Çelsi, Baloteli dhe…. Mikoli
Mourinjo e ka kaluar masën, duke folur shpesh për komplote, duke krijuar një klimë trysnie dhe alibije për futbollistët, çka tani po e paguan shtrenjt. Jam kurioz të di se çfarë mendon për drejtimin e ndeshjes Milan Kievo nga gjyqtari. Mendoj se trajneri i Interit i vlerëson aftësitë e mëdha të Balotelit, nga i cili ama pretendon, se përveç të bërit sulmues duhet të rikthehet për të ndihmuar në mesfushë, sikurse ç’është e vërteta duhet të bëjnë të gjithë sulmuesit. Të ishte për mua nuk do të lija jashtë një futbollist të tillë. Duhet të edukohet, por me siguri është një kampion, që ka një gjuajtje të madhe.
Sfida në Ligën e Kampionëve me Çelsin?
Ajo është një ndeshje shumë e vështirë, sepse aktualisht futbolli anglez është më i mirë se yni. Në deshjen e parë, Interi fitoi duke luftuar deri në fund kundër një skuadre që kishte dy kolona të saj, Lampardin dhe Terrin, në një mbrëmje të keqe.
Por skuadrës së Ançelotit i mjafton të shënojë një gol pa pësuar për të kaluar turin. Në Itali, Interi është skuadra më e fortë, tani duhet të dëshmojë vlerën e saj në Ligën e Kampionëve. Ne bëjmë tifo për futbollin italian dhe për këtë urojmë që Interi të realizojë objektivin e tij; përndryshe rrezikojmë të humbasim një vend në Ligën e Kampionëve.
Juvja, si është e ndërtuar, mirë apo keq.
Eshtë një skuadër e ndërtuar si mos më keq, plot ekuivoke taktike, e përbërë nga futbollistë të mirë, por që renditen në fushë, pa respektuar karakteristikat e tyre. Felipe Melo është mesfushor i mirë, por aktivizohet si organizator. Diego nga ana tjetër është një fantazist dhe aktivizohet si mesfushor. Jam i bindur se roli që do t’i përshtatej më shumë për karakteristikat e tij është sulmues i dytë. Zakeroni veproi drejt që nuk e rreshtoi titullar kundër Sienës për t’i dhënë stimuj. Diego deri tani ka dëshmuar se nuk i duron dhe nuk di të reagojë ndaj kritikave. Barazimi me Sienën është diçka e turpshme. Nga 3 0 në 3 3 dhe Siena goditi edhe një shtyllë.
Roma, çfarë rasti i humbur…
Ende jam i bindur se Roma si skuadër është më lart se Milani, por organika e kufizuar është një hendikap i madh. Në Livorno u shpërdorua nja mundësi shumë e madhe për të rihapur luftën për titull nga ana e tyre.
Milan, tani kampionati u rihap!
Milani pas poshtërimit në Ligën e Kampionëve, duke na bërë të qajmë, madje duke shtërnguar Berluskonin të fikë televizorin, duke fituar kundër Kievos, rihapi kampionatin. Ama sa keq për atë gol të anulluar për Kievon.
Real Madrid, Perez mjaft me blerje sulmuesish.
Dështimi i Realit nuk më habiti. Perezi mendon gjithnjë dhe vetëm për të blerë sulmues. Por nuk është numri i sulmuesve që shton rrezikshmërinë e një skuadre. Përkundrazi sa më shumë sulmues rendit në fushë, aq më shumë vuajnë mesfusha dhe mbrojtja.
Xhenoa, çfarë spektakli për të gjithë.
Skuadra e Gasperinit është e pabesueshme, gjithnjë të gjithë në sulm. Për të fituar asnjëherë nuk i mjaftojnë vetëm dy gola, me atë mbrojtje aq të depërtueshme. Me siguri është një skuadër që jep spektakël në rrafshin pozitiv dhe negativ.
De Laurentis është ankuar për futbollin italian, duke e quajtur të menaxhuar nga pleq.
- Kjo është vetëm një mënyrë alternative për të sulmuar klasën e gjyqtarëve. Për fat të keq në Itali ka një kulturë të dyshimit. Le të marrim Spanjën dhe Anglinë. Në Spanjë, përcaktimet e gjyqtarëve bëhen të gjitha së bashku, së pari për ndeshjet vajtje dhe më pas për ato ardhje. Në Angli, pastaj futbolli është më i qetë. Futbollistët vijnë të vetëm në fushë, duke ngrënë panine. Atje janë jashtë “ligjit” xhirimet e përsëritura të ngadalshme të mëvonshme nga televizionet, ndërsa në stadiume ka burgje të gatshme për të ndaluar rrëmujaxhinjtë.