Bardhezinjtë do të kenë shumë mungesa, sidomos në mbrojtje në sfidën e Ligës së Europës
Vazhdojnë dëmtimet në shtëpinë e Juventusit, teksa dhe Alberto Zakeroni ka filluar të mendojë se diçka nuk shkon. Tekniku bardhezi nuk ka mundur asnjëherë të aktivizojë formacionin më të mirë të mundshëm dhe kjo situatë po fillon ta lodhë: “Jam tek Juventusi prej një muaji e gjysëm dhe çdo herë që bëj formacionin, duhet të korrigjoj diçka për shkak të dëmtimeve. Nuk jam unë ai që duhet të përcaktojë shkaqet e një situate të tillë që po vazhdon prej shumë kohësh, - ka thënë Zakeroni. - Po përballemi me këtë gjendje me stafin teknik dhe e di edhe se, në Vinovo, punojnë njerëz specialistë. Nuk besoj se është faji i lagështirës. Kujtoj se, tek Interi, thuhej e njëjta gjë për Apiano Xhentilen.
Më pas është e qartë se, kur gjërat nuk shkojnë, tensioni i tepërt nuk bën gjë tjetër veçse favorizon dëmtimet”. Sfida e Ligës së Europës me Fulhemin po afrohet dhe trajneri bardhezi kërkon të harrojë menjëherë barazimin e hidhur 3-3 të marrë kundër Sienës të dielën në kampionat. Për ndeshjen kundër anglezëve, gjithsesi, do të duhet të bëhet llogaria e lojtarëve që nuk do të jenë në dispozicion, me një situatë alarmuese përsa i takon portierëve. Bufon është akoma i dëmtuar, Maninger ka një shqetësim në kofshën e djathtë dhe do të qëndrojë larg fushave për tri javë, ndaj do t’i takojë 40-vjeçarit Kimenti ose portierit të skuadrës së të rinjve Pinsolio të mbrojë portën juventine në ndeshjet e ardhshme.
Probleme edhe në mbrojtje: Kielini nuk do të mund të rekuperohet për transfertën e Londrës, gjithashtu do të mungojë edhe Legrotalje i skualifikuar. Akoma jashtë Kaseres dhe kështu kundër skuadrës së Hodgsonit duket se do të shihet në fushë një dyshe e re qëndërmbrojtësish për bardhezinjtë që do të formohet nga Zebina dhe Kanavaro. Në rrezik edhe Markizio, i cili ka një problem në shpinë, ndërsa lajmi i vetëm i mirë ka ardhur nga Amauri, që është rikthyer të stërvitet pas dëmtimit muskulor.