Kasano “martohet” me “Zonjën e Vjetër”
Drejtuesit bardhezi pothuajse kanë mbyllur përfundimisht transferimin e Kasanos te Juventusi sezonin që vjen. Nuk ishte një mister që fantazisti i Sampdorias ishte nën shënjestrën e klubit të “Zonjës së Vjetër”, por me sa duket gjatë orëve të fundit është arritur marrëveshja dypalëshe mbi transferimin e mesfushorit dorian. Për transferimin i Antonio Kasanos te bardhezinjtë, juventinët duhet të paguajnë plot 18 milionë euro, ndërkaq mesfushori i talentuar i Juventusit, Sebastian Xhiovinko, sezonin që vjen mund të shkojë në formë huazimi te Sampdoria. Ndërkaq, nën gjurmët e Antonio Kasanos ishin vënë edhe Interi dhe Milani, por ka qenë vetë sulmuesi i Sampdorias që ka preferuar të shkojë te Juventusi. Në pritje të zyrtarizimit të këtij lajmi, midis Sampit dhe Juves ka një shtrëngim dore, që vlen sa një firmë.