“Barazimi në Firence, njësoj si një humbje”
Ndonëse nuk nguron të shprehë hapur mendimin e tij, Klaudio Ranieri e ka marrë me qetësi rezultatin e sfidës së parë të sezonit, ndonëse nuk nguron të shprehë rezerva për mënyrën e pësimit të golit nga Xhilardino, teksa kishte mbetur vetëm një minutë nga përfundimi i takimit. “Ndonjëherë duhet të pranosh verdiktin e fushës, por shpeshherë është shumë e vështirë, ashtu siç na ndodhi ne në përfundim të ndeshjes me Fiorentinën. Kishim lojën në dorë, por gjithashtu na u dhanë disa mundësi për të mbyllur ndeshjen, të cilat nuk arritëm t’i konkretizonim dhe në përfundim morën një gol, që kushtëzoi një rezultat që nuk e meritonin, - u shpreh kreu i pankinës juventine. – Kam një vit që theksoj të njëjtën gjë, nuk duhet t’i tërheqim sulmuesit kundërshtarë në zonën tonë, por siç u pa gabuam përsëri. Na vjen keq që lamë dy pikë të rëndësishme në sfidën me Fiorentinën, pasi janë fitore të tilla që në fund të garantojnë kampionatin”. E ndërsa kolegu i tij te vjollcët, Çezare Prandeli, e sheh si fitore barazimin me bardhezinjtë, Ranieri e cilëson atë një disfatë të vërtetë për skuadrën e tij: “Për mua, barazimi në Firence ishte njësoj si një humbje. Ne jemi Juventusi dhe është pikërisht Juventusi që lufton e fiton ndeshje në minutën e fundit. Prandaj, kurrsesi nuk duhet të dorëzohemi, por mbi të gjitha të vazhdojmë të punojmë me intensitet”. Drejtuesi i stolit të “Zonjës së Vjetër” justifikon më pas suedezin Melberg, të cilit Xhilardino i ka rrëmbyer topin vendimtar. “Problemi nuk ishte Melberg, sepse nëse topi arrin deri aty, atëherë problemi bëhet kolektiv. Skuadra? Jam shumë i kënaqur nga loja jonë me përjashtim të momentit të golit. Kemi treguar një ritëm të mirë, pavarësisht se mungonin katër lojtarë mjaft të rëndësishëm për formacionin tonë si Kielini, Zaneti, Sisoko e Trezege. Pikërisht për këtë arsye,dua të përgëzoj Poulsen e Markizion për kompaktësinë e shfaqur në mesfushë. E ndjejmë që jemi të fortë, por gjithashtu jemi të sigurt se mund të japim shumë herë më tepër nga ajo çfarë shfaqëm në transfertën e Firences”, ka përfunduar tekniku i Juves, Klaudio Ranieri.