10 tetor 2011

Rudi Vata të drejtojë Shqipërinë?


Ish-kapiteni i kombëtares Shqiptare dhe ish-kandidati për kreun e FSHF-së, Rudi Vata, raportohet se është i gatshëm të marrë nën drejtim ekipin kuqezi nëse Josip Kuzhe largohet.

Sporti Shqiptar përcjell se Vata, i cili jeton në Hamilton të Skocisë, gjatë një interviste për “The Sun” është shprehur se gjasat janë të mëdha që ai të drejtojë Shqipërinë pas largimit të Kuzhe.

“Kontrata e Kuzhes po përfundon dhe FSHF po kërkon një trajner tjetër për zëvendësimin e tij. Do të më pëlqente shumë nëse më emërojnë trajner të Shqipërisë. Besoj se jam mjaft i përgatitur. E di që njerëzit do të thonë se nuk kam eksperiencën e duhur, por eksperienca e paktë si trajner nuk është bërë pengesë për Slaven Biliçin e Kroacisë, apo Jurgen Klismanin e Gjermanisë”.

“Mendoj që në Shqipëri ka shumë lojtarë të rinj të talentuar. Mendoj gjithashtu se jam i përgatitur për të përcjellë idetë e mia në kombëtare. E mendoj në çdo kohë këtë. Kam luajtur 59 ndeshje me Shqipërinë, ndër të cilat 40 herë kam qenë kapiten. Gjithashtu kam jetuar në katër vende të ndryshme. Kam qenë pjesë e Shqipërisë në të kaluarën dhe dua të jem pjesë e kombëtares edhe në të ardhmen”, ka thënë Vata. /Telegrafi/