27 qershor 2011

27.06.2011 Lajme për Sportistet Shqiptar


Medalja e argjendtë, shumë e vlefshme për Shaqirin

Zuerich, 27 qershor - Mesfushori kosovar Xherdan Shaqiri e ka vlerësuar lart plasmanin e Zvicrës në Evropianin U-21 të futbollit. Zvicra të shtunën mbrëma u mposht nga Spanja në finale të Evropianit të shpresave të mbajtur në Danimarkë, me rezultatin 2:0. Shaqiri thotë se pozita e dytë është sukses i madh. Mesfushori shtatshkurtër i Baselit është vlerësuar ndër futbollistët më të mirë në Evropian.
"Ne kemi qëndruar shumë larg kundërshtarit dhe kemi treguar tepër respekt për spanjollët. Por, prapë jemi në mesin e dy skuadrave më të mira të Evropës. Kjo medalje ka një rëndësi të madhe për mua. Ndoshta do ta vendos në ram", ka thënë Xherdan Shaqiri të dielën.
Zvicra me kalimin në finale ka siguruar biletën për olimpiadën "Londra 2012".
Shaqiri në dy nga pesë ndeshjet, sa i ka zhvilluar Zvicra, ishte shpallur lojtari më i mirë.
Futbollistët e U-21 të Zvicrës të dielën kanë arritur në Zuerich, ndërsa për ta është organizuar një paradë. Për Zvicrën pos Shaqirit në Evropianin e Danimarkës u aktivizuan edhe Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Amir Abrashi e Pajtim Kasami.
Në finale u aktivizuan të pesë shqiptarët. Shaqiri, Xhaka e Mehmedi ishin titullarë, ndërsa në pjesën e dytë luajtën edhe Abrashi e Kasami.
"Spanja ka dominuar në posedim të topit, mirëpo nuk pati edhe raste ideale për të shënuar. Kanë qenë dukshëm më të mirë. Më është dukur sikur po luajnë me dy apo tre lojtarë më shumë. Ata ishin teknikisht më të mirë dhe lëviznin shumë në fushë. Ne duhet të shikojmë para dhe është e sigurt se duhet të përparojmë edhe më shumë deri në Olimpiadë. E kemi parë se në çfarë niveli është Spanja dhe se na duhet kohë derisa të arrijmë atë nivel", ka thënë Granit Xhaka, që në finale luajti 68 minuta, ndërsa u zëvendësua me Kasamin.
Sulmuesi me origjinë nga Maqedonia, Admir Mehmedi, përfundoi si shënuesi i dytë i Evropianit me tre gola, dy më pak se fituesi i "Këpucës së artë", Adrian Lopez i Spanjës.
"Në kampionatin zviceran kam zënë pozitën e dytë me Zuerichun pas Baselit, në Evropian pozitën e dytë pas Spanjës, ndërsa në listën e shënuesve më të mirë të Evropianit pozitën e dytë pas Lopezit. Tash duhet të shikoj që nga ai dysh të kaloj në njësh", ka thënë Mehmedi.
Vendi i dytë në evropian ishte suksesi më i madh i arritur ndonjëherë nga shpresat e Zvicrës. Kontributi i futbollistëve shqiptarë në këtë sukses vlerësohet shumë i madh. Në të vërtetë, Zvicra llogarit shumë në futbollistët shqiptarë. Pesë futbollistë shqiptarë janë pjesë edhe e Përfaqësueses A të Zvicrës. Përveç Shaqirit, Xhakës e Mehmedit me Përfaqësuesen A luajnë edhe Valon Behrami e Blerim Xhemajli. Ky numër pritet të rritet ende gjatë këtij viti. Pranë përfaqësueses vlerësohet të jenë edhe Albert Bunjaku e Beg Ferati. Shaqiri, Xhaka e Mehmedi vlerësohen ndër futbollistët më perspektivë në shtetin helvetik.
/JUVENEWS.TK/

Bajramaj e prekur nga faktori "Kournikova"

Berlin, 27 qershor - Mesfushorja kosovare Fatmire Bajramaj, në Botërorin 2011 të futbollisteve mund të ketë rolin e rezervistes. Por ky fakt nuk do ta dëmtonte fare atë në fushën e marketingut. Kështu së paku thotë ekspertja e marketingut nga shkolla e sportit në Koeln, Daniela Schaaf. Schaaf e krahason Bajramajn 23-vjeçare me ish-tenisten ruse Anaa Kournikova.
"Te Lira Brajamaj prek faktori Kournikova", thotë Schaaf.
Sipas Schaafit meshkujt nuk brengosen shumë për sukseset sportive, nëse bëhet fjalë për një sportiste atraktive.
Ndryshe është në futbollin e meshkujve, ku protagonistët bëhen më të njohur dhe më atraktivë për reklama, nëse arrijnë suksese në sport.
Faktori "Kournikova" në marketing të sportit, lidhet me tenisten ruse Anna Kournikova, që në sportin e tenisit kishte sukses mesatar, mirëpo për shkak të dukjes së saj kishte arritur suksese të mëdha në marketing.
Bajramaj sipas ekspertes Schaaf është futbollistja e përfaqësueses së Gjermanisë me më së shumti potencial për marketing.
Nëse Botërori i futbollit do t'i sjellë më shumë popullaritet futbollisteve në Gjermani, kjo mbetet të shihet. Mirëpo, Schaaf është skeptike se mund të arrihen kontrata afatgjate marketingu.
"Partneritet afatgjatë nuk ka. Por, të shohim se çfarë do të sjellë Botërori. Një është e sigurt se nga shikuesit e deri te sponsorët, presin të fitohet titulli i Botës. Çdo gjë tjetër do të ishte zhgënjim", ka thënë Schaaf.
Bajramaj ishte pjesë e Gjermanisë edhe në botërorin që u mbajt para katër vjetësh në Kinë. Përveç titullit të botës, ajo ka fituar me Gjermaninë edhe titullin e Evropës si dhe medaljen e bronztë olimpike.
/JUVENEWS.TK/

Tare: Gjatë javës mund të vendoset për Canën

Romë, 27 qershor - Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka thënë se gjatë javës mund të vendoset për transferimin e Lorik Canës. Lazio ka kohë që po e kërkon futbollistin e Galatasarayt. "Nuk e kam të lehtë të flas për Lorikun të cilin e kam mik dhe bashkatdhetar. Është një lojtar i madh. Ne po presim. Mund të jenë ditë shumë të rëndësishme këto që po vijnë. Por të presim dhe të shohim se si do të shkojnë gjërat", ka thënë Tare të dielën,shkruajnë mediumet italiane. Tare e Cana kanë luajtur së bashku në Kombëtaren e Shqipërisë.
/JUVENEWS.TK/

Granit Xhaka, si të ishte binjak i Ronaldos

Futbollisti i kombëtares zvicerane U-21, Admir Mehmedi ka dhënë vlerësimet e tij për bashkëlojtarët, në përfundim të Evropianit për të rinjtë e moshës deri 21 vjeçe në Danimarkë, ku Zvicra përfundoi në vendin e dytë, përkatësisht medaljen e argjendtë. Ai ka lavdëruar secilin prej tyre dhe s�ka folur për veten. Vlerësimin më interesant e jep për Granit Xhakën, që e krahason me Ronaldon.
Çfarë strategu. Përveç që është i mirë në fushë, ai edhe ua thyen zemrat vajzave. Besoj se është binjaku i Cristiano Ronaldos, ka thënë Mehmedi për Blick.
Për Xherdan Shaqirin, ndërkaq, ka thënë: �Është thjesht magjik, kaq intelegjent në fushë. Kur jemi me shokë, ai është zbavitës dhe tregon barsoleta. Zero arrogancë.
Për Kasamin: Një bebe e rritur. Ai është kaq i madh dhe prapë duket si bebe.
Për Abrashin: Është Gattuso jonë. Edhe në ping-pong është agresiv. E mban linjën dhe ndonjëherë është në dietë, transmeton
/JUVENEWS.TK/

Përforcohet Prishtina?

Prishtinë, 26 qershor - Skuadra më me nam në futbollin kosovar, Prishtina tashmë ka nisur me përforcimet për edicionin e ri.
Sipas të përditshmes Zëri, Florim Berbatovci, Qendrim Sejdi, Amir Rrahmani, janë në planet e Prishtinës dhe ata pritet të konfirmojnë ardhjen te bardhekaltërit e kryeqytetit . Nga skuadra priten të largohen Suad Saliagiq, Driton Vokshi, Labinot Haliti, por edhe disa të tjerë. Genc Sermaxhaj huazohet për 6 muaj te Gjilani.
/JUVENEWS.TK/

Mahmuti edhe një vit në krye të Galatasarayt

Trajneri kosovar Oktaj Mahmuti do të drejtojë skuadrën turke të basketbollit, Galatasaray edhe në edicionin 2011/2012. Mahmuti pritej që të emërohej menaxher gjeneral i klubit, por në fund u vendos që ai të jetë trajner edhe për një edicion. Në krye të Galatasarayt, Mahmuti erdhi në verë të vitit të kaluar. E udhëhoqi këtë skuadër drejt finales së plejofit të kampionatit turk. Më herët ka drejtuar skuadrën italiane Benetton Treviso, ndërsa një kohë të gjatë ishte trajner i Efes Pilsenit. Me Efesin fitoi shumë trofe në Turqi, ndërsa u paraqit rregullisht edhe në Euroligë.
/JUVENEWS.TK/

Rreth 70 për qind e futbollistëve janë të lirë

Futbollistët e ish-skuadrës kampione të Kosovës, Trepçës, janë të lirë të shkojnë kudo jashtë vendit, por përgatitja e tyre dhe izolimi ndërkombëtar i futbollit të Kosovës i shtyn ata të vendosin sërish për Trepçën apo ndonjë skuadër tjetër kosovare, që në thelb është e njëjtë. Si puna e futbollistëve të Trepçës, janë rreth 70 për qind e futbollistëve të Superligës. Me përfundimin e stinorit 2010\11, ka marrë fund edhe bashkëpunimi me skuadrat e tyre, por krerët e këtyre të fundit nuk çajnë kokën, pasi janë të bindur se "s'kanë ku të shkojnë".
Si asnjë vend tjetër të paktën në Evropë, në Kosovë firmosen kontrata njëvjeçare apo edhe fare, siç vepron klubi Trepça.
"Te ne asnjë futbollist nuk ka kontratë dhe është mëkat që ata të lidhen me kontrata. Janë të lirë të largohen nëse gjejnë kushte më të mira. Ne merremi vesh vetëm me fjalë", ka thënë kryetari i klubit Trepça, Nexhmedin Haxhiu.
Si te Trepça edhe te Drenica nuk është asnjë lojtar me kontratë.
"Të gjithë futbollistët janë pa kontrata dhe unë kam dëshirë t'u vazhdohen ato deri në vitin 2014, por kjo nuk varet nga unë", tha trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku.
Lëvizja e shpeshtë e futbollistëve pengon klubet që të hartojnë strategji afatgjata. Në fakt, kjo është "pjellë" e situatës së dobët financiare që po kalojnë vetë klubet sportive. Të pakta janë ato klube, që lidhin kontrata afatgjata me futbollistët.
Klubet mendojnë "sot për nesër", ndryshe nuk funksionon.
"Vetëm dy lojtarë i kemi me kontrata, të tjerët nuk kanë kontrata. Mirëpo ky nuk është problem, pasi të gjitha do të rinovohen sapo të sigurojmë buxhetin për edicionin e ri në këto rrethana të vështira", ka thënë kryetari i klubit KEK-u, Istref Klinaku.
Edhe klubet më të mëdha nuk i kanë punët gjithaq mirë. Zyrtarisht, skuadrat më të forta të stinorit të shkuar, si kampioni Hysi dhe nënkampionia Prishtina, janë deklaruar se numri i lojtarëve pa kontratë nuk kalon, përkatësisht 20 e 30 përqindëshin, por lojtarët e këtyre skuadrave shprehen ndryshe. Disa kanë nisur edhe të largohen.
"Mbi 70 për qind e lojtarëve janë me kontrata, por edhe një pjesë e tyre do të lirohen. Kjo varet nga trajneri, i cili do të vendosë edhe për rinovimin e kontratave me futbollistët që u ka skaduar kontrata", u shpreh zyrtari i klubit Prishtina, Naser Hyseni.
Gjilani, Liria, Besa, Trepça '89 e Lepenci po ashtu kanë një numër të madh të lojtarëve pa kontrata. Por edhe këto skuadra janë të bindura se do t'i mbajnë lojtarët që duan.
"Askush nuk ka kërkuar të largohet, por edhe nëse kanë kontrata dhe nuk marrin pagat me rregull, është njerëzore t'ua japësh librezën dhe t'i lejosh të kërkojnë kushte më të mira të ndonjë skuadër tjetër", ka thënë kryetari i ekipit Besa, Bakir Burri.
Për trajnerin e Gjilanit, Muharrem Sahitin, çështja e kontratave është problemi kryesor. Ai shpreson të zgjidhet kjo situatë.
"90 për qind e lojtarëve nuk kanë kontrata. Jo vetëm lojtarët, por edhe shtabi teknik është pa kontrata. Dëshira është të vazhdojmë kontratat, por kjo varet prej drejtuesve të klubit", tha ai.
Në Kosovë, edhe ata pak futbollistë që kanë kontrata, i kanë amatore, pasi nuk tregojnë vlerën e saj para federatës, në mënyrë që të mos japin shumën e përcaktuar për Federatën dhe buxhetin e Kosovës. Federata nuk mbron futbollistët me kontrata amatore.
/JUVENEWS.TK/