02 tetor 2009

Stiven Xherrard pret përgjigje nga shokët!

Kapiteni i Liverpulit, Stiven Xherrard, i ka bërë thirrje skuadrës të reagojë në këtë fundjavë kur të përballen me Çelsin, pas humbjes së pësuar me Fiorentinën. Të Kuqtë do të shkojnë në “Stemford Brixh” të dielën pas humbjes zhgënjyese 2-0 të martën në Champions Ligë.
Trajneri, Rafa Benitez, ka qenë i pakënaqur me mentalitetin e dobët që ka treguar skuadra e tij dhe Xherrard është i vendosur ta fshijë këtë humbje me një fitore kundër Çelsit. “Ka qenë me të vërtet një mbrëmje zhgënjyese”, ka thënë Xherrard. “Kemi gabuar shumë në pjesën e parë. Nuk arritëm të dalim në lojën tonë dhe e merituam të shkonim në dhomat e zhveshjes në disavantazh. Ka patur një reagim në pjesën e dytë, por ndeshjen e kemi humbur në 45 minutat e para.
Nuk bëmë atë që bëjmë zakonisht në Europë. Ne në këto ndeshje luajmë me një ritëm të lartë dhe shfrytëzojmë shumë mirë kundërsulmin. Këto gjëra kanë munguar kundër Fiorentinës dhe kjo dukej qartë. Tani na pret një ndeshje shumë e rëndësishme të dielën kundër Çelsit.
Duhet ta harrojmë humbjen që kemi pësuar dhe të reagojmë në “Stemford Brixh”. Liverpuli ka rënë në vendin e tretë në Grupin E për shkak të humbjes së pësuar kundër Fiorentinës dhe fitores së Lionit kundër Debrecenit dhe Xherrard e ka të qartë se është e rëndësishme për ekipin që të rikthehet sa më shpejt tek fitorja në përballjen e radhës që do të kenë në Champions muajin e ardhshëm kundër Lionit.
“Ka akoma edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar në grup. Tani ka rëndësi që ne të fitojmë ndeshjen e ardhshme në shtëpi kundër Lionit. Nëse ne fitojmë të gjitha ndeshjet në fushën tonë dhe përpiqemi të marrim pikë në dy ndeshjet e fundit në transfertë gjithçka do të shkojë mirë”, ka thënë Xherrard.