Talenti i Barcelonës beson se bashkëpunimi i tij me sulmuesin e ardhur nga Interi mund të përmirësohetFitorja 2-0 që Barcelona ka marrë kundër një skuadre të vendosur si Dinamo e Kievit do të shihet në Europë si një tregues se kampionët në fuqi janë në formë të mirë dhe se janë skuadra favorite për të të fituar Champions Ligën në këtë sezon si dhe për të përsëritur suksesin e majit të kaluar.
Dyshja e mrekullive
Megjithatë, ka ardhur edhe një konfirmim tjetër nga fitorja që ka vënë Barcelonën në krye të Grupit F. Para se të përballeshin me Dinamon, Lionel Mesi dhe Zllatan Ibrahimoviç, kanë arritur të shënojnë, të dy bashkë, 12 gola në këtë sezon, duke përfshirë këtu edhe dygolëshin e argjentinasit në Superkupën e Spanjës, dhe të realizojnë gjashtë pasime fituese të dy bashkë. Pas ndeshjes të së martës Mesi i ka shtuar një gol koleksionit të tij dhe Ibrahimoviç një pasim. Përtej ndihmës që kanë dhënë në fitimin ndeshjes, sulmuesi suedez dhe fantazisti argjentinas kanë dhuruar një spektakël me 5 yje, ndërsa dy lojtarët kanë shijuar betejën me portierin e Dinamos së Kievit, Oleksander Shovkoski, për trofeun e lojtarit më të mirë të ndeshjes, një përballje kjo që për lexuesit e UEFA.com është fituar nga Lionel Mesi.
Mesi i kënaqur
“Jam i kënaqur për këtë vlerësim, por fitorja ka qenë më e rëndësishme në këtë ndeshje, sepse nuk ka qenë e lehtë për t’u arritur”, ka thënë Mesi. “Dinamo ka lojtarë të mirë dhe në këtë takim Shovkoski ka treguar se është një portier shumë i mirë. Unë kam patur shumë raste por ai ishte në formë të mirë dhe ka treguar cilësitë e tij”.
Përshtatja e shpejtë
Ka patur dyshime kur Guardiola ka shitur Samuel Etonë tek Interi si pjesë e shkëmbimit për të marrë Ibrahimoviçin por, për momentin, përshtatja e tij e shkëlqyer me Mesin duket se i ka bërë të heshtin skeptikët. “Unë dhe Zllatani jemi akoma në fillim dhe mund të përmirësohemi”, ka shtuar Mesi, goli i të cilit në minutën e 26-të ka qenë vendimtar për ndeshjen. “Eshtë fillimi i sezonit dhe ne nuk jemi njohur plotësisht me njëri-tjetrin. Ne kemi ndjesinë se loja jonë po përmirësohet në çdo ndeshje dhe shpresojmë që kjo gjë të vazhdojë”.
Avantazhi i madh
Shoku i tij i sulmit ka qenë dakord. “Leo është një futbollist i shkëlqyer”, ka thënë Ibrahimoviç. “Unë shkoj shumë mirë me të dhe me kalimin e ndeshjeve mirëkuptimi ynë në fushë po përmirësohet. Loja me të më argëton. Kundër Dinamos së Kievit kemi krijuar shumë raste, duke realizuar dy gola, por mund kishim shënuar tre, katër apo pesë. Kemi bërë disa gabime të vogla, por e dinim se, nëse do të vazhdonim të provonim, topi, herët ose vonë, do të përfundonte në rrjetë”. Ish-lojtari i Interit beson se avantazhi që kanë në grup mund të mos jetë vendimtar, por është i rëndësishëm. “Mbrëmja e së martës ka qenë pozitive për dy arsye. Ne kemi marrë tri pikë me vlerë dhe Interi ka barazuar në Rusi. Eshtë me të vërtet një avantazh i madh të kryesosh Grupin F kaq shpejt”, ka përfunduar sulmuesi i katalansve.