
Edhe pse ende asgjë nuk mund të quhet e konfirmuar, nga bisedimet paraprake duket e sigurt edhe prezenca e yjeve të skuadrës spanjolle në kryeqytet. "Është ende herët për të thënë se cili do të jetë i gatshëm për të luajtur dhe cili jo. Gjithsesi, akordi fillestar është që në këtë ndeshje do të jenë të pranishëm të gjithë lojtarët madrilenë. Madje, edhe nëse ndonjëri prej tyre do të jetë i dëmtuar, ai do të udhëtojë së bashku me Realin në Tiranë", deklaroi biznesmeni shqiptar. Taçi konfirmoi gjithashtu se ndeshja do të luhet më 21 dhjetor, në orën 17:00. Marrëveshja erdhi pas një takimi të përbashkët me numrin 2 të Milanit, Adriano Galiani dhe presidentin e Realit, Florentino Perez. Ai deklaroi: "Kur isha në Madrid për të ndjekur takimin e Ligës së Kampioneve ndërmjet Realit dhe Milanit, u takova me Perez. Falë miqve tanë të përbashkët (administratori i klubit italian, Galiani), presidenti ‘merengue‘ e pranoi ftesën për të ardhur në Shqipëri dhe për të luajtur një ndeshje miqësore. Ai u bind kur mësoi se më parë në Tiranë ka ardhur për të luajtur edhe Milani. Në këtë mënyrë vendosëm që kjo ndeshje të zhvillohej në kryeqytetin tonë dhe skuadra që do të zbresë në fushë kundër Realit është Gramozi (klubi i Superiores i financuar prej Taçit)". Deri më tani, për trofeun "Taçi Oil", që në bashkëpunim me UNICEF synon përhapjen e kulturës, ndërmjet ndërtimit të bibliotekave dhe shkollave të reja, në Shqipëri ka ardhur dy herë Milani. Në tetor 2008 kuqezinjtë humbën 2-1 me Tiranën, ndërsa në maj të këtij viti ata fituan me penallti me Kombëtaren "B" (ndeshja u mbyll në barazim 3-3)...