02 tetor 2009

Benitez: Do të reagojmë ndaj Çelsit

Pas humbjes 2-0 me Fiorentinën, trajneri i Liverpulit e kthen vëmendjen te sfida e Premier LigësTrajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, ka këmbëngulur se ekipi i tij do të reagojë ditën e diel në përballjen delikate të Premier Ligës kundër Çelsit, pas humbjes së pësuar të martën në mbrëmje në Champions Ligë kundër Fiorentinës.Liverpuli ka qenë në rolin e spektatorit në 45 minutat e para të këtij takimi, ku anglezët, kanë qenë me fat, që e kanë mbyllur pjesën e parë me vetëm dy gola disavantazh. Manovra e shpejtë e Fiorentinës ka vënë në vështirësi lojtarët e Benitezit, ndërsa shënuesi i dy golave, Stevan Jovetiç, ka qenë i papërmbajtshëm.Dhe, nëse skuadra angleze ka përmirësuar lojën në pjesën e dytë kjo ka ndodhur për shkak se më keq nuk mund të bënin me mesfushorët Fabio Aurelio dhe Lukas, që kanë qëndruar në hije dhe me sulmuesin Fernando Torres që ka patur shumë pak topa në dispozicion. Megjithatë, në 45 minutat e dyta është dukur Liverpuli i vërtetë me Stiven Xherrard që ka marrë kontrollin e lojës, Dirk Kajt që është përfshirë më shumë në aksionet e ekipit dhe Fernando Torres që ka qenë më i rrezikshëm. Dhe kjo është loja që Benitez kërkon të shikojë në fundjavë në një ndeshje ku Liverpuli nuk mund t’i lejojë vetes një tjetër gabim.“Unë mendoj se gjithçka do të jetë ndryshe, besoj se do të shohim Liverpulin e pjesës së dytë kundër Fiorentinës, do të luajmë më mirë”, ka thënë tekniku spanjoll para se të konfirmonte se ekipi i tij është më i fortë se kurrë. “Në pushimin e pjesës së parë ne kemi folur rreth gabimeve që kemi bërë dhe sesi mund të përmirësonim lojën tonë. Mund të kishim bërë diçka më shumë, e dinim se nëse do të kishim shënuar një gol në fillimin e pjesës së dytë, mund ta kishim ndryshuar rrjedhën e ndeshjes, por nuk e kemi bërë këtë”.Benitez gjithashtu është ankuar për rregullin e pozicionit jashtë loje që e cilëson të rregullt pozicionin jashtë loje të një lojtari që nuk merr pjesë në aksion. Ish-sulmuesi i Çelsit, Adrian Mutu, ka qenë në një pozicion të tillë në rastin e golit të parë kur Jovetiç ka dalë i vetëm përballë portierit Reina, duke e mposhtur këtë të fundit, me mbrojtjen e Liverpulit që ka hezituar. “Eshtë e qartë se ky rregull i pozicionit jashtë loje ndryshon gjithçka, sepse t’i nuk e di nëse lojtari që ndodhet në atë pozicion do të marrë pjesë në aksion apo jo”, ka thënë Benitez. “Ne kemi bërë një gabim, Jovetiç ka qenë në pozicion të rregullt, por ky ka qenë një tjetër gabim i yni”.