02 tetor 2009

Kanute dhe Fabiano, Sevilja në “parajsë”

Dider Zokora ka thënë se dy shokët e tij të ekipit tek Sevilja Frederik Kanute dhe Luis Fabiano janë “dy sulmuesit më të mirë në Spanjë për momentin” pas fitores 4-1 të arritur në Champions Ligë kundër skocezëve të Rejnxhersit.
Numër i pafat
Dyshja e sulmit të miqve ka ndihmuar njëri-tjetrin, duke shënuar nga një gol, ndërsa katër realizimet në 24 minutat e pjesës së dytë, i kanë dhuruar fitoren spanjollëve duke i shkaktuar humbjen më të rëndë në Europë në fushën e tyre skuadrës së Rejnxhërsit në 14 vitet e fundit dhe gjitashtu i ka pozicionuar ata në vendin e fundit të Grupit C. Rastësisht, 24 është gjithashtu numri i viteve që Rejnxhërs ka pritur për të marrë një fitore kundër një ekipi spanjoll dhe për Zokoran rezultati i ndeshjes nuk ka qenë për asnjë moment në dyshim pasi Abdulai Konko ka shënuar golin e parë pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë.
Dyshja fatale
“Pas golit të parë, ndeshja ndryshoi”, ka thënë ish-mesfushori i Totenhemit.”Goli na ka dhënë shumë besim dhe na ka inkurajuar për të shënuar më tepër. Për mua, Kanute dhe Fabiano janë dy sulmuesit më të mirë në Spanjë për momentin, sepse në çdo ndeshje ata shënojnë gola dhe krijojnë shumë rsate për të tjerët”.
Frymëzues
Kanute ka vlerësuar lojën e Fabianos, i cili ka qenë protagonist me pasimet e tij në golat e shënuar nga sulmuesi malian dhe bashkëkombasi brazilian, Adriano. Kanute ka pranuar se mirëkuptimi midis dy sulmuesve ka ndikuar në këtë fillim të mirë të sezonit të Seviljes dhe shpreson që ky moment të vazhdojë edhe në fundjavë kur ata do të shkojnë në “Bernabeu” për t’u përballur me Realin e Madridit.
Kampionati
“Loja jonë është shumë e mirë si në kampionat ashtu edhe në Champions, kështu që ne jemi të kënaqur, sepse po shënojmë gola dhe po i japim fitore ekipit”, ka thënë 32-vjeçari, Kanute. “Tani, shpresojmë ta ruajmë këtë formë edhe në ndeshjen kundër Realit të Madridit. Me një fitore mund të ngjitemi në vendin e dytë në kampionat”.
Përqendrimi
Për Rejnxhersin ka qenë një mbrëmje zhgënjyese dhe ndërsa zëvendësuesi Naço Novo ka shënuar një gol ngushëllimi, Mazhid Bugerra ka bërë një sërë gabimesh në pjesën e dytë, që i kanë kushtuar atyre ndeshjen. Mbrojtësi ka thënë: “Ne duhet të jemi të përqendruar për 90 minuta, pasi e pamë sesa shpejt e humbëm kontrollin e ndeshjes pas golit të parë”.