As Eto e as Baloteli, por është “Dragoi i vjetër” që e ka nxjerrë nga telashet Interin e Mourinjos. “Dragoi” është Dejan Stankoviç dhe kur “anija” është duke u fundosur (ishte në humbje dhe gati të pësonte golin e dytë), merr për dore skuadrën, fillon t’u japë zemër të gjithëve, barazon ndeshjen, duke shënuar me kokë si një sulmues i mirëfilltë. “Duhet ta mbajmë kokën lart. Jam shumë i lumtur për këtë barazim, - thotë Stankoviçi, - një pikë e fituar për mënyrën sesi shkuan gjërat. Në vështirësi u treguam të mëdhenj. Interi që më pëlqen, është një për të gjithë dhe të gjithë për një. Dalim me kokën lart nga kjo sfidë e vështirë. Na vjen keq për dy naivitete: goli i parë i tyre…”. I dyti ka të bëjë me Balotelin, “që duhet të piqet shpejt, është i ri dhe duhet ta bëjë”, - vërejnë Maikoni e kapiten Zaneti. “Gjithsesi, nëse fitojmë në përballjen e dyfishtë me Dinamon e Kievit dhe kështu do të ndodhë, nuk do të kemi probleme për t’u kualifikuar”, - përfundon Stankoviçi. Edhe Kambiaso shton: “Kjo është pikë e mirë, por një skuadër si Interi s’mund të kënaqet me kaq”.Vërtet, ky barazim, pavarësisht nga dalja me të kuq e Balotelit nuk mund të justifikohet lehtë me atë ç’ka u pa në fushë.