Manipulime, gjyqtarë të korruptuar, lojtarë që paguheshin për të humburFutbolli kinez dridhet. Hetimi më i madh sportiv i ndërmarrë ndonjëherë në vendin aziatik po nxjerr në dritë vite të tëra të mbushura me mashtrime. Gjatë javëve të fundit, mbi 100 persona, drejtues klubesh, menaxherë, lojtarë, gjyqtarë dhe funksionarë të lartë të federatës kanë përfunduar nën hetim gjyqësor. Të martën u arrestuan 16 njerëz të botës së topit, e mes tyre kishte edhe trajnerë e drejtues të kategorisë së parë. Situata është alarmuese: rezultate të manipuluara të ndeshjeve, baste klandestine, arbitra të korruptuar dhe lojtarë që paguheshin për të humbur ndeshjet dhe për të bërë të mundur që shifrat finale të ishin sipas kërkesave të grupeve kriminale. Skandali ka përfshirë të gjitha nivelet e futbollit kinez, duke filluar nga kampionatet amatore, e deri në elitë. Disa edicione të kampionateve janë trukuar për të siguruar sa më shumë përfitime nëpërmjet basteve. Gjatë mbrëmjes së të martës dhe mëngjesit të së mërkurës, nga hetimet janë zbuluar detaje, të cilat tronditën edhe përfaqësuesen. Gjashtë lojtarë të Kombëtares kineze u shoqëruan nga policia, vetëm pak orë pasi luajtën në ndeshjen kundër Libanit, të vlefshme për Kupën e Azisë 2011. Agjentët e policisë mësynë në dhomat e hotelit ku ata flinin dhe i shoqëruan në kazermë. Mes të ndaluarve ishin edhe Jang Zhi e Sun Xiang, dy lojtarë mjaft të njohur në vendin e tyre. Pas gjashtë orësh ata u liruan dhe deklaruan për mediat: "Autoritetet donin të dinin mendimin tonë rreth futbollit kinez".