JUVELIVE

02 nëntor 2009

Feliks Magat: Shalke nuk vdes kurrë!

Shalke ka barazuar ndaj Hamburgut, por dhe Leverkuseni që shënoi dy herë në dhjetë minutat e fundit
Trajneri i Shalkes, Feliks Magat, i ka përgëzuar lojtarët e tij për besimin dhe shpirtin e garës, që treguan në ndeshjen e Leverkusenit, ku arritën një barazim të paimagjinueshëm për mënyrën si shkuan gjërat. Një javë më parë, Shalke u gjend në disavantazh të dyfishtë, por arriti të barazojë 3-3 ndaj Hamburgut, me dy gola në dhjetë minutat e fundit. Gjithçka u përsërit ndaj Leverkusenit. “Aspirinat” shënuan dy herë në pjesën e parë, por Shalke vuri barapeshën në fund. Leverkuseni kryeson renditjen me 23 pikë, Verderi dhe Hamburgu kanë nga 22, ndërsa Shalke është në vendin e katërt me 21 pikë.
“Pasi e mbyllëm pjesën e parë 0-2 unë kisha pak shpresa se mund të bënim atë që bëmë ndaj Hamburgut, duke shmangur humbjen, - tha Magati. - Kishim luajtur edhe në mesjavë për Kupën e Gjermanisë dhe mendoja se skuadra ishte e lodhur për të bërë përmbysjen, por Shalke ime nuk vdes kurrë. Kam një ekip fantastik që beson te vetja dhe lufton deri në fund.
Këto dy barazime do të na ndihmojë për moralin në ndeshjet e ardhshme.” Megjithatë, Magati, ka lavdëruar edhe kundërshtarin, i vetmi që nuk ka pësuar humbje në këtë sezon, duke thënë se e meriton kryesimin. “Leverkuseni është ekipi më i fortë me të cilin jemi ndeshur deri tani. Fakti që janë në vend të parë është fryt i llogjikës,” - tha ai. Gjithsesi, Magati nuk do të ishte Magati, nëse nuk ka diçka për t’u ankuar. Këtë herë nuk i ka pëlqyer gjykimi i Mikael Uejnerit, i cili i anulloi një gol të rregullt Xheferson Farfanit kur kishte kaluar një orë lojë. “Gjyqtari ndikoi në fatet e ndeshjes, - tha trajneri i Shalkes.
- Favorizoi më shumë Leverkusenin sesa ne dhe kjo na e vështirësoi punën.” Nga ana tjetër, drejtori sportiv i Leverkusenit, Rudi Fëler, mendon se ekipi i tij meritonte më shumë nga kjo transfertë. “Jemi shumë të zhgënjyer, - tha ai. - Në fillim të ndeshjes do ta kishim pranuar barazimin, por ky 2-2 ngjan si një humbje për ne.”