JUVELIVE

02 nëntor 2009

Hënes: Pa Riberinë dhe Robenin, tjetër skuadër

Drejtuesi i Bajernit vlerëson mungesat e mesfushorëve si thelbësore për ecurinë e ekipit bavarez
Menaxheri i Bajernit të Mynihut, Uli Hënes, tha dje se bavarezët nuk janë e njëjta skuadër pa Frenk Riberinë dhe Arjen Robenin. Kjo deklaratë erdhi pak ditë para ndeshjes vendimtare në Ligën e Kampioneve ndaj Bordosë. Bajerni është në vendin e tretë të Grupit A dhe ka nevojë për fitoren ndaj kampionëve të Francës për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit. Skuadra e Van Galit u mund 2-1, më 21 tetor, nga Bordoja.
Roben dhe Riberi, të cilët shtypi gjerman i quan “Robbery” për aftësitë që kanë në çarjen e mbrojtjeve kundërshtare, janë të dëmtuar dhe vetëm holandezi mund të jetë në dispozicion të trajnerit Luis Van Gal për sfidën me Bordonë. “Zakonisht unë nuk jam dikush që ankohet ose justifikohet me mungesat, - tha Hënes, - por është e dukshme që ka një tjetër Bajern pa Riberinë dhe Robenin dhe një tjetër Bajern kur ata janë në fushën e lojës.
Kur ata të rikthehen në formën e tyre, edhe ne do të rikthehemi në majë.” Bajerni renditet në vendin e gjashtë të kampionatit gjerman, pas barazimit 0-0 ndaj Shtutgartit. Riberisë do t’i duhet të paktën edhe një muaj pushim për t’u riaftësuar nga dëmtimi në gju, ndërsa Roben u la pushim në Bundesligë, por do të jetë titullar, të martën në “Allianz Arena”. “Preferova ta lë pushim ndaj Shtutgartit, për ta pasur plotësisht të gatshëm ndaj Bordosë,” - tha Van Gali.