JUVELIVE

27 tetor 2009

Super Hysi

Fitorja bindëse ndaj Trepçës me rezultat 4:0, ia ka mundësuar Hysit që për herë të parë këtë sezon ta marrë primatin në tabelën e Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra llapjane, e udhëhequr nga trajneri Luan Prekazi, i ka varguar rezultatet pozitive, të cilat ia mundësuan asaj që ta lërë prapa edhe ekipin më të përforcuar të verës, Trepçën. Skuadra nga Merdari synon të vazhdojë me rezultate pozitive.
“Nëse punojmë, nëse kemi përkushtim, nëse na përkrah Kryesia dhe nëse luajmë sikur deri tash, mendoj se rezultatet do të vijnë vetë”, u shpreh Prekazi për Express, të hënën.
Ai theksoi se është herët të flitet për titull të kampionit, por se nëse i jepet rasti, ekipi i tij do ta kërkojë këtë trofe. Prekazi e ka treguar çelësin e rezultateve pozitive të llapjanëve. “Me disiplinë, punë serioze dhe përkushtim të plotë. Ne po luajmë mirë dhe kjo me siguri se në fund do të sjellë fryt”, vazhdoi Prekazi.
Reparti ofanziv i Hysit është njëri prej më të mirëve në Kosovë. Këmbëshpejtët Enis Zabërxha dhe Labinot Osmani, kanë shkëlqyer në çdo ndeshje duke realizuar gola, gjë e cila ndodhi edhe të dielën. Ata mbështeten nga mesfushori i dalluar dhe me teknikë të përsosur, Mentor Zhdrella, ndërsa mbrojtjen e udhëheq i “tanku” Qëndrim Kida.
Pas 13 xhirosh të zhvilluara në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, Hysi ka grumbulluar 27 pikë, tash 3 më shumë sesa përcjellësi kryesor, Trepça. Të mërkurën, Hysi do të ketë punë të vështirë, pasi që do të jetë mysafir i Lirisë në Prizren, në kuadër të xhiros së 14.