JUVELIVE

27 tetor 2009

Në Evropë, përmes Carling Cup

Kapiteni i Sunderlandit kërkon që “Macet e Zeza” ta marrin me seriozitet ndeshjen e tyre të së martës mbrëma, kundër Aston Villës. Cana dëshiron ta udhëheqë Sunderlandin drejt Evropës për sezonin e ardhshëm, ndërsa këtë Kupë e sheh si mundësi të mirë për të shkuar atje.
“Kjo Kupë është rrugë e shkurtër që çon drejt kompeticionit evropian, sezonin e ardhshëm. Por, e dimë se do të jetë një ndeshje e fortë, sepse Villa ka ekip mjaft të mirë”, u shpreh mesfushori kosovar. 26-vjeçari e sheh si përparësi faktin se ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e Sunderlandit, Stadium of Light.
“Ne kemi mundësi të mirë, pasi luajmë në shtëpi. Do ta kemi përkrahjen e tifozëve tanë. Kam besim dhe ne duhet ta mbajmë nivelin e lojërave tona. Një klub si Sunderlandi duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë dhe të fitojë diçka dhe të jetë në finale. Ne duhet të hyjmë në lojë për fitore”, vazhdoi Cana.
Pjesëmarrja e fundit e Sunderlandit në garat evropiane daton qysh nga sezoni i largët 1973/74, kur ky klub e kishte fituar trofeun FA Cup kundër Leeds United, e cila ia mundësoi pjesëmarrjen në Kupën e Kupave.