JUVELIVE

27 tetor 2009

S’ka përforcime, nga Afrika

Klubet kosovare të futbollit, kohëve të fundit po hasin në probleme për sjelljen e futbollistëve të huaj në radhët e veta, e sidomos të atyre nga shtetet afrikane.
Rasti i fundit ndodhi të dielën, kur dy futbollistët nigerianë, mesfushori Edere Steven dhe sulmuesi Ndanaco Obinna Marcel, u kthyen mbrapsht, pasi mbërritën në aeroportin e Prishtinës. Dy futbollistët nigerianë, ishte paraparë që të provoheshin tek Kosova e Vushtrrisë për disa ditë.
Zyrtarët e klubit vushtrrias thonë se i kishin kompletuar të gjitha dokumentet që nevojiten që një i huaj të qëndrojë në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur sekretari i bardhekaltërve, Fidan Lahu.
“Ne e patëm përfunduar procedurën për të huajt, i kemi kryer të gjitha obligimet, përfshirë edhe garancionin, si dhe dokumentacionin e kompletuar, që e patëm dërguar në aeroport. Mirëpo, me të mbërri në aeroport, futbollistët u kthyen mbrapsht pasi policia e migracionit konsideroi se dokumentet nuk ishin komplete. Ata frikësoheshin se mos këta futbollistë po merren me ndonjë punë tjetër të dyshimtë”, theksoi Lahu.
Ai shtoi se, do të shkojë tek policia e migracionit për ta dorëzuar sërish dokumentacionin, të cilin konsideron se klubi vushtrrias e ka në rregull. Klubi vushtrrias beson se futbollistët nigerianë, të cilët kanë shkuar përkohësisht në Stamboll të Turqisë, të arrijnë në Kosovë brenda kësaj jave.
Rasti i Kosovës së Vushtrrisë nuk është i vetmi. Sepse, kohë më parë, një gjë e tillë i kishte ndodhur edhe klubit mitrovicas Trepça ’89, anëtare e Ligës së Parë të Kosovës. Ky klub, një muaj e gjysmë më parë kishte sjellë dy futbollistë nigerianë, por që edhe ata ishin kthyer mbrapsht.
“Ne e patëm bërë kërkesën në Gjykatën Komunale dhe i kemi paguar të gjitha shpenzimet. Por, s’e di pse, unë e mora vesh se ne konsideroheshim si klub në regjistër të zi, kështu që nuk na u bë e mundur që t’i transferonim këta dy futbollistë”, tha ai.
“Policia frikësohej se mos këta futbollistë do të merreshin me ndonjë punë tjetër, por pse janë njerëz me ngjyrë, nuk do të thotë se gjithsesi të merren me punë të këqija, Zoti i ka krijuar ashtu. Mendoj se rikthimi i tyre mbrapsht ishte vendim i padrejtë dhe i pakuptimtë”, u shpreh kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka.
Pikërisht në këtë klub luan futbollisti afrikan Silvestre Ambe. Zeka thotë se të gjithë janë të kënaqur me të si person, por edhe si futbollist. Përpos tij, në Superligën e futbollit luan edhe një futbollist afrikan. Bëhet fjalë për sulmuesin Ibrahim Musa Ali, i cili aktivizohet tek Gjilani.
Ndërsa, edhe Liria, në radhët e veta kishte dy futbollistë nga Nigeria, Chima Uruozo e Chukwudi Ogbonnaya, të cilët në fillim të këtij muaji u lanë të lirë nga klubi prizrenas.
Express ka provuar të hënën gjatë tërë ditës të vejë kontakte me zyrën për migracion, për ta pyetur rreth arsyes se pse nuk lejohen futbollistët afrikanë të hyjnë në Kosovë, por kjo ka qenë e pamundur.