01 tetor 2009

Morati kritikon Balotelin: Na ndëshkoi!


Presidenti zikaltër nuk e vlerëson sjelljen e sulmuesit të ri në Kazan. Edhe Mourinjo është i inatosur
Episodi i Balotelit kundër Rubin Kazanit na dëmtoi absolutisht”. Masimo Morati komenton kartonin e kuq që mori sulmuesi zikaltër në ndeshjen e Championsit në Rusi. “SuperMario” mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 60-të me një faull të kotë e naiv në mesfushë, gjest shumë i shmangshëm.
“Të shohim ç’do të bëjnë, - vazhdon presidenti Morati. - Në Champions na ka ndodhur edhe më parë, edhe me futbollistë më të pjekur, si Materaci, të gjëndemi me 10-të lojtarë. Duhet të kemi shumë kujdes. Ndeshjen e filluam mjaft keq, pastaj e morën lojën në dorë dhe besoj se ndeshja do të zgjidhej pozitivisht nëse Baloteli s’do të merrte të kuqin”.
Mourinjo vazhdon të nënvizojë që ky Inter ka ndryshuar shumë në krahasim me sezonin e shkuar dhe që i duhet kohë për të përfshirë të rinjtë, por duke luajtur dy herë në javë nuk është e lehtë: “Liga e Kampioneve luhet çdo dy javë, koha nuk është shumë e mjaftueshme, nuk mund t’i bëjmë programet tona në përputhje me ato që ka vendosur organizmi europian i futbollit”.
Sipas Moratit, duhet nxituar dhe fjalët duhen lënë mënjanë, i bindur se skuadra nuk duhet të ndikohet nga nervozizmi i Mourinjos, për të cilin diskutohet shumë në këto ditë. “Sipas meje jo, - shpjegon numri një zikaltër, - skuadra reagoi shumë mirë ndaj Rubinit. Xhesti i Balotelit nuk ishte nervozizëm, ishte naivitet. Për sa i takon pjesës tjetër, e përsëris, skuadra reagoi shumë mirë”. Ndryshimi i rendimentit mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve është dhe duket, a ishte vitin e shkuar
një problem psikologjik apo teknik? “Por kjo është si historia e Ibrahimoviçit, që nuk shënon në ndeshjet e Championsit, - vëren Morati. - Në Kazan, skuadra u gjend në një situatë të vështirë, ndaj një pikë është e mirëpritur. A është vendosur që tani vendi i parë i grupit tonë? Jo”. Barcelona duhet të presë edhe pak…
I inatosur me daljen e Balotelit nga fusha në Rusi për kartonin e kuq, është edhe Hoze Mourinjo. “Për Balotelin nuk flas. Do ta bëj direkt me të në dhomat e zhveshjes dhe do të flasim sërish. Them vetëm që kartoni i kuq është i drejtë. Mund të përfundosh me dhjetë lojtarë për një faull ku lojtari është i fundit ose sepse dikush e pret topin në linjë me dorë, jo për gjë tjetër. Mund të luanim shumë për të fituar.
Megjithatë jam i kënaqur në veçanti nga rezultati. Më pëlqeu mënyra sesi e rimorën kontrollin e lojës pas barazimit”. Problemet nisën pikërisht pas kartonit të kuq të Marios, “dhe është e drejtë dhe jam dakord me barazimin. Nëse fitojmë dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi që na mbesin dhe nëse nuk humbasim në Kiev, besoj se kualifikimi do të jetë i yni”. Më pas Mourinjo analizon ndeshjen: “Kishim shumë largësi mes tre mesfushorëve dhe tre sulmuesve.
Por u përmirësuam kur zhvendosa pak më përpara Stankoviçin, i zoti në interpretimin e atij roli. I madh! Bravo Dejan, bravo Maikon”. Në fund, trajneri i Interit përgëzon Rubinin: “Na befasoi dhe u përpoq vërtet të fitonte. Por nëse do të ishim 11-të lojtarë në fushë, historia do të ndryshonte. Sidoqoftë, mirë edhe kështu. Ashtu siç erdhën gjërat, mund të dilte keq. Po ashtu na mungonte edhe 50% e skuadrës titullare”. Përfshirë Militon, mungesë që iu komunikua Mourinjos pak orë para ndeshjes. Një tjetër gjë që e inatosi.