“Është e papranueshme të thyhen zyra e KF Prishtinës. Rastin e kemi paraqitur në polici dhe ato po e hetojnë rastin”, tha Afrim Muçiqi, nënkryetar i KF Prishtina.Besnik Kollari ka dhënë dorëheqje ta parevokueshme nga posti i kryetrajnerit të KF Prishtina pas barazimit 0:0 me Vëllaznimin e Gjakovës, në kuadër të javës së nëntë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. “Me gjithë përkrahjen e mirëkuptimin në të cilin kam hasur nga kryesia e KF Prishtina gjatë tërë kohës të qëndrimit tim në postin e kryetrajnerit vlerësoj dhe shoh të arsyeshme dorëheqjen time për shkak të rezultateve, dhe gjithashtu vlerësoj se është në interes të KF Prishtina të cilës i dëshiroj suksese të mëtutjeshme”, ka thënë Kollari në një komunikatë të lëshuar për media. Klubi më i trofejshëm në Republikën e Kosovës ka mbetur pa kryetrajner, por shtrohet dilema kush do të jetë pasardhës i tij. Prishtina nuk e ka vetëm këtë problem, telashet e kësaj skuadre kanë nisur edhe më herët edhe me suspendimin e pesë futbollistëve të përbërjes së parë, si: Driton Vokshi, Mirsad Idrizi, Florim Humolli, Azem Ahmeti, Ardian Kozhani. Këta futbollistë javën e kaluar ishin rikthyer në skuadër me vizën e Kollarit që tashmë ka dhënë dorëheqje. Telashet e Prishtinës nuk janë tashmë vetëm rezultatet, por aty janë përzier edhe adhuruesit “Plisat”, të cilët kërkojnë përmirësimin e rezultateve dhe kanë dhënë ultimatum tërë kryesisë. Madje disa nga adhuruesit “Plisat” pas përfundimit të ndeshjes në shenjë revolte me gurë e kanë sulmuar zyrën e KF Prishtinës. Më këtë rast janë thyer edhe xhamat zyrës së kësaj skuadre, që dëmet janë të konsiderueshme. Nënkryetari i kësaj skuadre, Afrim Muçiqi këtë akt vandal e ka cilësuar si të papranueshëm. “Disa nga adhuruesit ishin tejet të revoltuar me rezultatet e fundit të Prishtinës dhe e bënë një gjë të tillë, duke thyer xhamat e zyrës së KF Prishtinës. Ky akt vandal është i papranueshme që të thyhen zyra e KF Prishtinës. Rastin e kemi paraqitur në polici dhe ato do të hetojnë rastin. Nuk kemi parë kush janë ata që hedhen gurë, por më këtë punë merret polici”, tha Afrim Muçiqi, nënkryetari i KF Prishtina. Edmond Rugova, drejtor i përgjithshëm që është emëruar ditë më parë, menjëherë ka hasur në situatë të pakëndshme. Ai është i bindur se e gjithë kjo situatë e palakmueshme do të tejkalohet. “Dorëheqjen e Kollarit e kemi miratuar. Jemi në veprim e sipër për gjetjen e një kryetrajnerit të ri dhe brenda 24 orëve do të dihet emri i ri. Jemi në një situatë të palakmueshme, por besoj se do të tejkalojmë sa më parë. Nga ana tjetër kemi pasur bisedime të frytshme me adhuruesit ‘Plisat’, me të cilët kemi gjetur një gjuhë të përbashkët. Prishtina është e ‘Plisave’ dhe ‘Plisat’ janë të Prishtinës. Duhet të punojmë të gjithë bashkërisht për të mirën e klubit sepse Prishtina prezanton tërë kryeqytetin”, tha mes të tjera Rugova. Më dorëheqjen e Kollarit arrin shifra në katër trajnerë që humbën punën në Superligë. I pari, Xhafer Dobra i Drenicës pati dhënë dorëheqje të parevokueshme nga KF Drenica. I dyti, Muharrem Sahiti u shkarkua nga KF Hysi. I treti, Gani Sejdiu dha dorëheqje nga Trepça për shkak se nuk ka pranuar dënimet e futbollistëve nga ana e kryesisë. I katërti, Kollari jep dorëheqje nga Prishtina. E tash, kush e ka aradhën...?