27 qershor 2009

Zyrtare, Reali blen Raul Albiolin

Reali i Madridit ka siguruar edhe blerjen e tretë në merkaton e verës. Pas brazilianit Rikardo Kaka dhe portugezit Kristiano Ronaldo, tashmë përforcimi vjen në repartin e mbrojtjes. Bëhet fjalë pikërisht për mbrojtësin spanjoll të Valencias, Raul Albiol. Madrilenët kanë arritur një marrëveshje për kartonin e tij, në shifrat e 15 milionë eurove. Futbollisti 23-vjeçar ka luajtur katër vitet e fundit me Valencian, ndërkohë që ka firmosur një kontratë pesëvjeçare me Realin e Madridit. Albiol pritet të formojë dyshen e qendrës së mbrojtjes sëbashku me Pepen, duke zënë vendin e italianit Fabio Kanavaro, i cili u transferua te Juventusi. Ndërkohë, vjen një lajm tjetër i mirë për madrilenët dhe ka të bëjë me portierin Kasijas. Drejtuesit iu trembën një oferte të majme nga Mançester Junajtid, e cila mund të joshte numrin 1 të spanjollëve. Por ky i fundit ka vendosur të qëndrojë besnik. “Është klubi i Realit të Madridit, ai që më krijoi si futbollist dhe nuk kam asnjë arsye për t’u larguar. Do qëndroj përjetësisht këtu dhe do jap gjithmonë më të mirën time”, tha Iker Kasijas. Sipas premtimeve të presidentit Perez, tashmë ai ka në dispozicion për të shpenzuar edhe 110 milionë euro të tjera, të cilat po i ruan për një sulmues dhe një mesfushor.