27 qershor 2009
Venger: Ne, ‘Hirushja’ e futbollit evropian
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, është shprehur shumë i pakënaqur për mënyrën se si e trajton media situatën financiare të klubit të tij. Ai ka përgënjeshtruar faktin se ka në dispozicion 100 milionë sterlina dhe se po i kursen ato, duke mos i shpenzuar për blerjen e lojtarëve cilësorë. “Nuk është aspak e vërtetë që unë kam një shifër të tillë në dispozicion. Çdo blerje që unë duhet të bëj, është një sakrificë financiare për ne, pasi kemi harxhuar goxha parà për ndërtimin e stadiumit të ri. Ne jemi klubi që nuk shpenzojmë shumë, e prapëseprapë jemi ndër më të mirët e Evropës”, – deklaroi Venger. Ndërkohë, ai ka treguar qartë edhe diferencën që bën me skuadra që kanë hedhur qindra milionë për blerjen e lojtarëve të rinj. “Kampionati anglez tashmë po pushtohet nga njerëz mjaft të pasur, të cilët nuk i kursejnë paratë për të pasur në dispozicion një skuadër me lojtarë cilësorë, e cila do t’i argëtojë. Ndërkohë që ne jemi krejt të kundërt. Investojmë te të rinjtë, e me këtë tregojmë se paratë nuk janë gjithçka. Ne jemi ‘Hirushja’ e futbollit evropian, pavarësisht se kemi fituar prestigj prej sukseseve tona. E kemi bërë një gjë të tillë, si një klub i “varfër” në shpenzime”, – shtoi tekniku francez i “topçinjve”. Por ai nuk ka harruar të komentojë edhe situatën e sulmuesit nga Togo, Emanuel Adebajor, i cili është përfolur se do të largohet gjatë merkatos së verës. “Unë dua që të kem ende shërbimet e Emanuelit, sepse është një sulmues i shkëlqyer. Vetëm se nuk varet gjithçka nga unë. Nëse ai dëshiron të provojë një aventurë të re, është i lirë të largohet. Por ama edhe unëkam kushtet e mia: kështu, nuk do lejoj që ai të luajë për një tjetër klub anglez. Mund të shkojë në Itali dhe të zgjedhë kë klub që të dëshirojë atje. Nuk është taktika ime të përforcoj rivalët në kampionat, duke i dhënë futbollistët e mi më të mirë. Këtë gjë do ta evitoj në mënyrë kategorike”, – nënvizoi Venger. Me këtë deklaratë, ai e ka treguar qartë se Adebajori mund të zgjedhë midis Interit dhe Milanit, por nuk e ka kënaqësinë të pranojë ofertën e Çelsit, duke qenë se trajneri Karlo Ançeloti ka shfaqur interes për të. Kartoni i togolezit është vlerësuar rreth 25 milionë sterlina. “Nëse Adebajori largohet, me paratë e tij ne do bëjmë dy blerje të tjera, ku sigurisht një prej lojtarëve do jetë sulmues”, – përfundoi tekniku i Arsenalit.