27 qershor 2009
Ylli i Suedisë
Me paraqitjen e shkëlqyeshme kundër përfaqësueses U-21 të Serbisë, Emir Bajrami u ka treguar të gjithëve se sa i vlefshëm është për Kombëtaren suedeze. Në ndeshjen e fundit të grupeve në kuadër të Kampionatit europian, mesfushori kosovar ishte më i merituari që Suedia mposhti Serbinë me rezultat 3:1 në një ndeshje të elektrizuar. Se ndeshja ishte shumë e tensionuar tregon edhe fakti se serbët janë ndëshkuar me dy kartonë të kuq dhe shtatë të verdhë. ‘Shkaktar’ i kësaj ishte i pandalshmi Emir Bajrami, i cili ishte cak i fyerjeve nga ana e futbollistëve serbë – vetëm pse ka prejardhje nga Kosova. Mirëpo, mesfushori i Elfsborgut fyerjeve të ekipit serb u është përgjigjur duke asistuar në golin e parë të Suedisë, fitoi një penalti për golin e dytë dhe detyroi një futbollist serb të përjashtohet pas ndërhyrjes ndaj tij. “Kundër Serbisë kam qenë më shumë i motivuar. Kam zhvilluar një ndeshje fantastike dhe për këtë jam shumë i gëzuar. Lojtarët serbë gjatë gjithë ndeshjes më kanë fyer, mirëpo unë u ktheva me gola”, u shpreh Bajrami për Express të mërkurën. Me fitoren kundër serbëve, përfaqësuesja suedeze ka siguruar plasmanin në gjysmëfinale të Kampionatit evropian, ku përballë do të ketë shpresat angleze. Bajrami tregon se Suedia ka arritur objektivin e saj. “Qëllimi ynë kryesor ka qenë plasmani në gjysmëfinale dhe këtë e arritëm. Tash do të ndeshemi me Anglinë dhe do të shohim çfarë po bëjmë. Pasi kemi ardhur deri këtu, normal që synojmë ta fitojmë kampionatin”, theksoi 21 vjeçari. Mirëpo, ylli i shpresave suedeze nuk do të ketë mundësi t’u ndihmojë bashkëlojtarëve në ndeshjen kundër Anglisë, pasi të martën u ndëshkua me karton të verdhë pas një kacafytjeje me një lojtar serb. “Kam marrë dy kartonë dhe ndeshjen e radhës nuk kam drejtë të luajë. Jam i zhgënjyer pasi dëshira ime ishte të jem në fushë dhe t’i ndihmoj ekipit, por s’kam çfarë të bëj, kështu e ka futbolli”, thotë numri 20 i Suedisë. Që nga viti 2007 Bajrami është pjesë e përfaqësueses U-21 të Suedisë, me të cilën ka zhvilluar rreth 15 ndeshje dhe ka arritur të realizojë tri gola. Ndërsa në të ardhmen e afërt mund ta shohim pjesë e Kombëtares A të Suedisë.