27 qershor 2009
Wenger: Nuk jam dorështrënguar
Arsene Wenger insiston se nuk është dorështrënguar. Ai thotë se nuk i ka paratë në dispozicion siç i kanë Manchester United, Manchester City e Chelsea, për të blerë lojtarë të mëdhenj. Menaxheri i Arsenal është çmendur kur ka dëgjuar spekulimet se ai ka para në dispozicion, por që nuk i shpenzon ato sepse ai është shumë koprrac. Francezi për herë të parë deklaroi se Arsenal nuk ka shumë para për të shpenzuar dhe i paralajmëroi fansat e këtij klubi që duhet ta kuptojnë atë. “Jam i mërzitur me njerëzit që mendojnë se unë i kam 100 milionë funte në bankë dhe të cilat nuk dëshiroj t’i shpenzoj. Si mund të mendojnë njerëzit kështu?”- theksoi ai për tabloidin britanik The Sun. Wenger nuk mund të shpresojë të angazhojë futbollistë, kur e kupton se për të njëjtit interesohet Manchester United ose Chelsea, të cilët kanë buxhet të majmë. Andaj strategjia e tij është përqendruar në gjetjen dhe zbulimin e talenteve të reja dhe të uritura për ta treguar veten, siç ishte rasti i Cesc Fabregas. Wenger mendon se, edhe po t’i kishte, klubi londinez nuk ka nevojë t’i shpenzojë 100 milionë funte. “Ne kemi ekip të mirë dhe duhet të kemi besim në atë që po e bëjmë. Unë mendoj se ky ekip bëri gjëra të mira dhe nuk ka nevojë të transformohet. Kur arrin të mos mposhtesh për një kohë të gjatë në Premierligë dhe kur i arrin dy gjysmëfinale, siç bëmë ne sezonin e kaluar, këto do të thonë diçka. Unë e kam veçuar një apo dy futbollistë, por identifikimi dhe blerja janë dy gjëra të ndryshme”, vazhdoi Wenger i cili frikësohet sivjet nga Manchester City, që po mendon të përforcohet shumë. Citizens ia rrezikojnë edhe vendin e katërt Arsenalit.