27 qershor 2009

Trezege, e ardhmja mes Torinos e Madridit

Juvja, Reali ose Atletiko. Sulmuesi argjentinas është në pritje të lëvizjeve nga Spanja
Torino ose Madrid. Dy qytete, tri skuadra. Po, sepse fati i Trezegesë është në dyshim mes Juves, Realit e Atletikos së Madridit. Shumë varet edhe nga e ardhmja e Diego Forlanit, uruguajani i Atletikos që i pëlqen Realit. Kush do ta humbë këtë “derbi” të Madridit do të mësyjë drejt Trezegesë. Seko e Blank janë gati ta shesin: 10 milionë në “xhep”, 18 rroga përsa i përket bilancit të kontratës 2-vjeçare të mbetur. Por Davidi beson te projekti i Ferrarës dhe është i gatshëm të qëndrojë te Juvja.
Sezoni i kaluar nuk i ka rezervuar kënaqësi sulmuesit francez: problemet fizike, operacioni i dyfishtë në gju dhe qëndrime të shumta në stol. Por kapitulli Ranieri është mbyllur përfundimisht dhe projekti i ri, që do të nisë Çiro Ferrara, nuk e lë të pandjeshëm Trezegenë, që mund të pranojë me dashamirësi mundësinë për të qëndruar në Torino. Hipotezë kjo që ndoshta nuk i pëlqen shumë drejtuesve bardhezinj për një fakt shumë të thjeshtë.
Davidi fiton 4.5 milionë euro në sezon, një shifër e lartë, që nëse qëndron, Juventus do të jetë i detyruar t’ia japë edhe për dy sezonet e fundit të mbetura në kontratë, e cila i skadon në 2011-ën. Ja pse drejtori sportiv Alesio Seko po lëviz për ta shitur 32-vjeçarin, duke konfiduar në ndonjë sinjal pozitiv që vjen nga Spanja. Zgjidhje sigurisht jo e thjeshtë, por akoma e përshkureshme. Dhe pikërisht për këtë, mësohet se do të ketë një takim të ri me menaxherin e lojtarit, Kaliendo.